Grekët në ankth e dilemë, Varufakis nuk përjashton referendumin për euron

Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë duket se janë të ndarë për të ardhmen e vendit të tyre në rast se nga mbledhja e Eurogrupit të hënën nuk ka reagime pozitive për planin e detajuar grek për të përballuar emergjencën e muajve të ardhshëm.Ndërkohë që Aleksis Tsipras ka thënë në një intervistë për "Der Spiegel" se dalja e Greqisë nga euro është e paimagjinueshme, Janis Varufakis, në një bisedë të gjatë për "Corriere della Sera" është shprehur se si armë të fundit, nëse bashkëpunimi me institucionet dështon, atëherë mund të mbahet një referendum në Greqi për daljen nga euro, si dhe zgjedhje të tjera të parakohshme si ato të 25 janarit që sollën Syriza-n në pushtet.Qeveria greke ka arritur një marrëveshje me Bashkimin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar muajin e kaluar, sipas të cilës Athina ka kohë deri në fund të prillit për të specifikuar reformat që ka ndërmend të marrë në këmbim të ndihmës shtesë dhe pika kyçe e mbetur ende pa përgjigje është zëvendësimi i borxhit me obligacione të lidhura me Produktin e Përgjithshëm Bruto të vendit."Do të doja që Europa të kuptonte se në këtë mënyrë do të marrë më shumë para, jo më pak", citohet Varufakis.Propozimi i Varufakis bazohet në hamendësimin se Produkti i Përgjithshëm Burto i Greqisë do të pësojë rritje falë reformave, një rrezik ky që jo të gjithë në Bruksel janë të gatshëm të pranojnë.Para takimit të së hënës, përfaqësues të Bankës Qendrore Europiane thanë se nuk është më e mundur ligjërisht që Greqia të marrë fonde shtesë, ndërsa Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, zbuti tonet kur tha për "Die Welt" se gjendja në Greqi nuk duhej lënë që të përkeqësohej.