Shteti Islamik rrënon dhe qytetin e lashtë të Hatras në Irak

Shteti Islamik nuk ndalet në shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Irak. Kurdët e veriut kanë bërë me dije se militantët e ISIS kanë shkatërruar edhe qytetin e lashtë Hatra.

Ky do të ishte akti i fundit në valën e sulmeve kundër trashëgimisë kulturore të Irakut.

Hamid al-Jaburi, nga Departamenti i arkeologjisë në Universirtetin e Mosulit, tha se sot militantët i kanë shkatërruar me eksploziv mbetjet e lashta të qytetit Hatra dhe artefaktet.

Hatra, qytet i shënuar në UNESCO, është themeluar para më se 2 mijë vjetësh dhe është i njohur për tempujt e vet.

Ky shkatërrim i raportuar u bë dy ditë pasi qeveria e Irakut ka njoftuar se militantët e Shtetit Islamik me makina të rënda e kanë shkatërruar qytetin e vjetër asirian, Nimrud, një pjesën veriore të Irakut.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se shkatërrimi i qytetit Nimrud paraqet “krim lufte”.