Banesat sociale, Nevila Xhindi: Bllokim politik i qëllimshëm i Kryeministrit

177 familje të pastreha në kryeqytet kishin shpresa se këtë muaj do të merrnin banesat e tyre sociale në Shkozë.Por ashtu siç ka ndodhur për vite me radhë, edhe këtë herë politika i përgjigjet me JO nevojës së tyre për të jetuar në këto apartamente.Shumica në Këshillin bashkiak nuk i kaloi dosjet e dorëzuara nga Bashkia me argumentin se ato kanë nevojë të rishihen, duke lënë pezull edhe njëherë shpërndarjen e tyre.Ky bllok pallatesh është ndërtuar përpara katër viteve kur kryebashkiak ishte zoti.Rama, por janë marrë në dorëzim nga administrata aktuale e Bashkisë përpara një viti. E megjithatë askush nuk ka jetuar apo jeton në to.Apartamentet mirëmbahen nga Bashkia e Tiranës, por fakti që qëndrojnë të pabanuara dhe të mbylluara kanë sjellë prezencë lagështie dhe amortizim të infrastrukturës.Nënkryetarja e Bashkisë, Nevila Xhindi, tha se ky ishte një ndër projektet e radhës bllokuar nga Kryeministri.“ E gjithë kjo mori JO-në e radhës. Besoj nuk harrojnë qytetarët e Tiranës se që kur Edi Rama hyri në zyrën e Kryeministrit nuk ka reshtur së bllokuari Bashkinë e Tiranës. Sa fillojmë një punë publike menjëherë është qeveria qëndrore me agjencitë dhe mekanizmat e saj që bllokon punë e Bashkisë Tiranë. E bllokon Ministria e Financave, e bllokon INUK-u, e bllokon policia e shtetit. E bllokojnë të gjitha. Dhe kjo është si të jetosh në një Tiranë në rrethim. Është një rrethim politik i qëllimshëm”.Nuk është vendosur ende se kur do të jetë mbledhja e radhës e Këshillit bashkiak, që mbase do të jetë e fundit për këtë mandat, po ashtu dhe mundësia e fundit për mijëra familje që kanë dorëzuar dokumentacionin në Bashkinë e Tiranës.