Dy vjet pas sulmit, nis gjyqi për terroristin e Bostonit

Pothuajse dy vjet pas shpërthimit të bombave në Maratonën e Bostonit, ku tre vetë mbetën të vrarë dhe 264 të tjerë të plagosur, ka nisur të mërkurën gjyqi për të dyshuarin kryesor, Zhokar Tsarnajev, mes dyshimeve për personat e zgjedhur në juri.Të 12 anëtarët e jurisë janë të bardhë dhe avokatët mbrojtës të ish-studentitme origjinë çeçene pretendojnë që gjyqi duhet të zhvillohet jashtë Bostonit, pasi banorët vendas janë ende shumë të prekur nga ngjarja për të dhënë një verdikt të paanshëm.21-vjeçari përballet me 30 akuza, përfshi edhe atë të vrasjes me armë të shkatërrimit në masë, vepër kjo e cila dënohet me vdekje. Avokatët do të përpiqen të mbrohen,duke thënë se Zhokar ishte nën ndikimin e vëllait të madh, Tamerlan, ideatorit të sulmit të 15 prillit 2013, i cili mbeti i vrarë gjatë një aksioni të policisë për kapjen e tij.Ndërkohë, një grupim musliman me bazë në Florida, ka deklaruar se do të ngrejë padi ndaj FBI për një vlerë rreth 30 milionë dollarë, për vrasjen ende pa shkak të një miku të dy vëllezërve, Ibragim Todashev, i cili u ekzekutua nga agjentët e Zyrës Federale të Hetimeve ndërsa merrej në pyetje një muaj pas shpërthimit të bombave.