Gjykatësi Kristo i Kushtetueses përplaset me juristin e Qeverisë: Mos më përqesh
Me debate të forta është shoqëruar diskutimi i ankimimit të opozitës për Byronë e Hetimit në Gjykatën Kushtetuese. Gjykatësi Kristo i ka kërkuar juristit të Ministrisë së Drejtësisë të mos bëjë ironi, gjë që është mohuar nga juristi Sokol Pasho.Tiranë- Kërkesa e Partisë Demokratike për shpalljen antikushtetues të ligjit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, solli përplasje të forta ndërmjet gjykatësit, Vladimir Kristo dhe drejtorit juridik të Ministrisë së Drejtësisë, Sokol Pasho.Sipas gjyqtarit Kristo, përdorimi i ironisë dhe i veprimeve jo të hijshme nga përfaqësuesi i Qeverisë janë të papranueshme, duke shtuar se po të ishte ai kryetar i trupit gjykues do ta kishte nxjerrë nga salla.Vladimir Kristo: “ Meqenëse nuk ju tërhoqi vërejtje kryetari, herë tjetër kur të vini këtu përmbani emocionet. Se mund të dilni dhe jashtë, ua them seriozisht. Pavarësisht se kë përfaqësoni. U përpoqa të ruaj qetësinë me ju. Tërë kohën me ironi, tërë kohën devijim pyetjesh. Ku jeni, jeni në rrugë, në kafe, apo jeni përpara një trupe të nderuar? Unë nuk e njoh këtë gjuhë dhe të isha unë kryetar juve ishit jashtë. Kjo është ajo që mund të them. Më vjen keq që erdhi puna deri këtu. Unë nuk ju nxora gjuhën juve”.Vetë Juristi e argumentoi kështu veprimin e pretenduar nga gjykatësi Kristo, se nëse do të kishte bërë një veprim të tillë do të kishte dalë vetë nga salla.Sokol Pasho: “ Nëse gjeni qoftë dhe një shprehje të vetme nga çfarë kam cituar apo kam thënë do të dal vetë jashtë, nuk kaq nevojë të më nxirrni juve. Ju lutem riprodhoni proçesverbalin dhe ju garantoj se nuk do të gjeni asnjë shprehje, asnjë fjalë të vetme që të cënojë sadopak etikën e kësaj gjykate të nderuar”.Të dyja palët, si maxhoranca dhe opozita, sollën argumentat e tyre lidhur me kërkesën e rrëzimit ose pranimit nga Gjykata Kushtetuesë të krijimit të Byrosë kombëtare të Hetimit.Në fund trupi gjykues pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi që verdiktin e tij përfundimtar ta japë në ditët në vijim, duke e shpallur në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.