Përgjimi i Gruevskit, LSDM: Veprim skandaloz

Partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM ka reaguar pas publikimit të videos së takimit Gruevski - Zaev në zyrën e kryeministrit, duke theksuar se ky është një veprim skandaloz që tregon qartë sesi kreu i qeverisë filmon të gjithë ata që pret në takime në zyrën e tij."Kjo paraqet edhe një vërtetim klasik  dhe argument kyç për atë se kush përgjon kë në Republikën e Maqedonisë", thuhet në reagimin e LSDM-së. LSDM ngre pyetjen se kush tjetër mund të inçizojë Gruevskin, përveç se kabineti i tij? Ky rast sipas liderit opozitar, Zaev, tregon se si funksionon Gruevski.Zoran Zaev shprehet se tani qytetarët e Maqedonisë e kanë të qartë se kush filmon dhe kush përgjon në këtë shtet. Sa i përket përmbajtjes së dy videove në fjalë, kryetari i partisë LSDM thekson se Gruevski sigurisht nuk është aq naiv sa të mendojë se Zaev do t’i zbulojë identitetin e personave që i ka dorëzuar argumentet kundër tij.Pas publikimit të dy videove në rrjetet sociale në internet për rastin e ashtuquajtur "Puçi" apo të njohura ndryshe si bombat e opozitës maqedonase, ka reaguar edhe prokuroria e Maqedonisë, e cila ka ndaluar kategorikisht publikimin e këtyre materialeve, konkretisht mediave pasi edhe këto video janë pjesë e materialeve hetimore. Një ditë më parë në rrjetet sociale u publikuan 2 video të një takimi mes liderit opozitar Zoran Zaev dhe kryeministrit Nikolla Gruevski në zyrën e këtij të fundit.Zaev është filmuar duke shantazhuar kryeministrin se ka në dorë materiale kompromentuese për zyrtarë të lartë të qeverisë, video apo përgjime telefonike por edhe shkresa që konsiderohen skandaloze. Zaev pretendon se këto përgjime i janë dhënë nga shërbimet e huaja informative, ndërsa Kryeministri Gruevski këmbëngul vazhdimisht të dijë  origjinën e saktë, duke aluduar edhe për manipulime.