Arrestohen dy policë, i dhanë pasaportë biometrike skafistit të tragjedisë së 9 janarit

Dy punonjës të policisë së Vlorës, që pajisën me pasaportë biometrike një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar, janë arrestuar nga vetë kolegët e tyre pas një urdhër ndalimi të lëshuar për ta nga prokuroria e Vlorës.Nën pranga kanë rënë inspektori Leonel Begaj, me detyrë pranues për dokumentacionin e personave që aplikojnë për pasaportë dhe kryeinspektor Lirim Lamaj, ndihmës specialist në Komisariatin e Vlorës.  Të dy punonjësit akuzohen për veprat penale "shpërdorim detyre" dhe "falsifikim të dokumenteve".Punonjësit e policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë pajisur me pasaportë biometrike shtetasin Viron Robaj, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, por me gjeneralitete të tjera, ngjarje kjo e ndodhur në nëntor të vitit të shkuar.Ky i fundit ishte dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë me 25 vjet burg, për veprën penale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen, për tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004. Aktualisht Robaj është arrestuar në Itali nga policia italiane, e cila e ka identifikuar atë përmes gjurmëve të gishtave duke njoftuar menjëherë interpolin shqiptar.