Ministri grek i Financave Varufakis: Do t'i japim fund plagës greke
Luftarak dhe i gatshëm për debat, Ministri grek i Financave, Janis Varufakis tha në një intervistë nga Londra se kishte ardhur koha që Greqia të mos ishte më plaga e Europës.Varufakis dhe kryeministri Aleksis Tsipras, kanë nisur turin në Europë për t'i mbushur mendjen krerëve të BE se trojka që mbikqyr financat greke duhet zëvendësuar."Jemi të vendosur që t'i japim fund këtij cikli të gjatë e të shtirur që i ka hapur Greqisë dhe gjithë eurozonës një plagë. Madje edhe Britanisë, e cila pavarësisht se nuk është pjesë e eurozonës, është e shqetësuar, sepse kriza në Europë nuk është ogur i mirë as për të ardhmen e ekonomisë britanike".Pas javës së parë në detyrën e re pas fitimit të zgjedhjeve të parakohëshme në Greqi duke fituar pothuajse gjysmën e vendeve në parlament, Varufakis është caktuar nga Tsipras si kryenegociator i Greqisë me Komisionin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.Edhe pse është përfolur shumë se Greqia nuk do ta paguajë borxhin prej 240 miliardë eurosh të marrë në vitin 2012, Varufakis e mohon këtë."Mesazhi im ndaj miqve tanë gjermanë dhe gjithë europianëve, është që nuk do të bëjmë lojë të rëndë, sepse nuk kemi hyrë për përballje...Gazetarët vdesin ta portretizojnë situatën sikur jemi në një duel në Wild West, por nuk është kështu. Nuk kam absolutisht asnjë dyshim për atë që po bëjmë dhe siç do ta shihni në orët, ditët në vazhdim, e gjitha Europa do të bashkohet dhe do të bëjë punën".Varufakis, nënshtetas australian, ka studiuar në Britani dhe ka punuar si pedagog në Universitetin e Teksasit, prej nga ka shkruar disa libra kundër masave shtrënguese të Bashkimit Europian.Ai mbërriti në Londër të hënën, ku u takua me Ministrin britanik të Financave, Xhorxh Osbourn, i cili tha pas takimit se kjo përballje mes Greqisë dhe Europës përbënte rrezikun më të madh për ekonominë globale.Në Londër ai duhet të takohej edhe me disa përfaqësues të institucioneve financiare, por mediat kanë raportuar se një prej takimeve në një prej klubeve luksoze të Londrës është anulluar pasi ai nuk kishte kravatë.Në fakt edhe mediat britanike e kanë ironizuar stilin e tij, pasi ishte veshur me një këmishë me ngjyra të ndezura, me çizme dhe xhup lëkure.