Totozani kundër testimit të mjekëve: Të tërhiqet, shkel të drejtat
Çdo qytetar duhet të gjendet në një jetë profesionale të parashikueshme. Deklarata vjen nga Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili shprehet kundër testimit të mjekëve dhe infermierëve, duke e cilësuar si cënim të sigurisë juridike.“Pata një takim me mjekët në lidhje me testimin. Kemi kohë që e ndjekim këtë problem, nuk ishte takim i pari. Kemi përgatitur një rekomandim pasi kemi analizuar këtë iniciativë. Kemi arritur në një përfundim se kjo iniciativë duhet të tërhiqet. I kemi dërguar ministrit, një rekomandim sugjerues, parandalues. Shkel parimin e të drejtave.Çdo qytetar i këtij vendi duhet të gjendet në një jetë personale dhe profesionale të parashikueshme. Në këtë kuptim për ne është e papranueshme, duke qenë se mjekët kanë një jetë profesionale të parashikueshme, formimi individual, marrja e licencës, diplomës, që në mënyrë të papritur të futet në axhendën e tyre një element i paparashikuar nga ta”.Avokati i Popullit u shpreh gjithashtu se mjekët duhet të ishin konsultuar më parë për këtë testim, në mënyrë që procesi të ishte sa më transparent.“Një nga elementët e qeverisjes së mirë është pjesëmmarja dhe transparenca. Organizatat e mjekëve duhet të konsultoheshin për ndërmarrjen e kësaj iniciative. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një qeverisje e mirë. Së treti, duhet të jetë transparent si proces, pra mjekët duhet të njihen me këtë ndërmarrja në mënyrë paraprake. Së fundmi, duhet të kemi kujdes me shërbime të tilla si i mjekëve, pasi besimi i publikut tek ta është elementi bazë për një marrëdhënie me pacientin”.Deklaratat e Avokatit të Popullit u bënë pas një takimi me përfaqësues të mjekëve, ku theksoi se tashmë i ka dërguar edhe një rekomandim Ministrit të Shëndetësisë lidhur me çështjen e testimit.