Një amerikane në duart e IS, Obama : “Po punojmë për lirimin e saj”
Një tjetër shtetas amerikan ndodhet në duart e shtetit islamik. Bëhet fjalë për një 26-vjeçare amerikane, identiteti i së cilës nuk është bërë publik. Lajmi është konfirmuar nga presidenti Barak Obama, i cili në një intervistë për NBC, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë gjithçka munden për ta shpëtuar gruan amerikane.Sipas informacioneve, 26 vjeçarja është marrë peng nga militantët një vit më parë në Siri. Pengjet e shtetit islamik kanë shqetësuar të gjithë Perëndimin dhe mbarë botën, pas ekzekutimeve të njëpasnjëshme të tyre.Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, i ka bërë thirrje shtetit islamik të lirojë të gjithë pengjet. Ban dënoi ashpër ekzekutimin e pengut të dytë japonez Kenji Goto, duke i quajtur militantët vrasës barbarë. Sekretari i Kombeve të Bashkaura shtoi se vdekja e Gotos konfirmon dhunën e qindra personave në Irak dhe Siri, të cilët ndodhen nën pushtetin e shtetit islamik. Thirrja e tij e fuqishme ndaj ektemistëve ishte "lironi të gjitha pengjet pa asnjë kusht”.Shteti islamik publikoi një video më 31 janar, në të cilën shfaqej ekzekutimi i japonezit Goto, me të njëtin skenar si në ekzekutimet e tjera. Në video ishte xhelati i njohur si xhihadisti Xhon që kreu ekzekutimin dhe dërgoi mesazhin ndaj Japonisë dhe vendeve perëndimore. Ndërkohë që viktima ishte veshur me kostumin, tashmë uniformë të pengjeve, ngjyrë portokalli.