Në zemër të perandorisë mediatike “Mediaset”
Gerti Çarçani
Viale Europa 55 (Rruga Europa 55), Kologno Monceze në Milano dhe menjëherë përballesh me një perandori mediatike: Grupi Mediaset Italia! Një institucion më vete, një akademi më vete mediatike, pikë referimi për mbarë botën dhe një ndjesi e veçantë për të gjithë shqiptarët, falë sinjalit dhe ekranit që e ndjekin prej vitesh, madje, që në vitet e para të tranzicionit. Një plantacion i madh, ku vlera, pasioni dhe profesioni natyrisht ndërlidhen me njëri-tjetrin dhe ku produkti në ekran arrin majat e audiencës. Një “betejë” e përditshme me RAI-n, por një rrugëtim investues, thuajse konstant. Ashtu si “padashur”, je gjendur brenda godinave të Canale 5, Italia 1, Rette 4, por edhe prej disa vitesh tashmë, platformës së re “Mediaset Premium”. Dhe ndjesia e parë: Të përballesh sa më shumë me figura ekrani, ato që prej vitesh janë një imazh, një aset real për këtë grup mediatik. Nuk ka as vend dhe as kohë për të bërë diferenca, por janë orët e një të mërkure pak të ftohtë milaneze, por brenda një korpusi mediatik, ku përtej modestisë, prezenca nuk është e shpeshtë për këdo. Dhe kontakti i parë të vjen direkt me godinën e madhe të Sport Mediaset, ku grupi i kolegëve janë në punë e sipër. Përgatisin një produksion të përditshëm atë që dikur ishte “Studio Sport” dhe tashmë shndërruar në “Sport mediaset” në Italia 1, në orën 13.00. Rrëfen gjithçka drejtori Alberto Brandi, së bashku me zëvendësin e tij, Xhanluka Maxini. Brandi, një figurë ekrani, ku për 6 vjet moderoi emisionin “Controcampo”, pak më vonë “Tiki-Taka”, dhe së fundmi drejton një skuadër jo të vogël gazetarësh sportivë që shkojnë mbi 50 të tillë, në këtë redaksi, të vetme dhe kualitative për sportin. “Ej ragazzi”, (djema), ju prezantoj me një koleg nga Tirana. Është komunikimi konstant me zyrat respektive të një godine ku vetëm vrapohet, por edhe ngutesh, pa gabuar ama. Alessandro Baldi, Drejtori i Sport Mediaset, së bashku me kolegun Maxini kanë tashmë të planifikuar të të përcjellin atë “ciceronin” për të gjithë ambientet edhe ku punojnë.
Dhe natyrisht, sapo prezantohesh si një koleg me një transmetim sportiv në Shqipëri, sapo merr kontaktin e parë, dy destinacionet e para që të ngacmojnë vetë gazetarët atje janë: Xhani de Biazi dhe...aksionerët e Parmës, që në rastin konkret janë shqiptarë dhe pikërisht Rezart Taçi. Duan mbase të dinë më shumë. Por, nga ana tjetër edhe të mësojnë detaje, që atyre, pak u shpëtojnë, por realisht edhe në disa rrethana e kanë të domosdoshme ta shënojnë në skedarët e tyre. Nuk je aspak në një iluzion, por gjendesh ekzaktësisht në “Mediaset”. Dhe, gjatë kohës së ndonjë pauze, teksa drejtor Bandi shkëputet për fare pak, pasi e kërkojnë, sekretarja Miriam me buzëqeshjen e saj konstante, vazhdon të të pyesë. Por, personalisht, insistimi vijon: Miriam! Ku gjendet Maria? (De Filipi)? “A, për fat Gert, sot është në Romë!”. Për të vazhduar me pyetjet për imazhe ekrani që dalin përtej sportit: “Po Federika Panikuçi?” “Sapo është larguar, sepse kishte transmetimin e mëngjesit...”. Por, nëse je nesër, sërish edhe mund ta takoni!”. Një gamë e madhe emrash, sepse ke hyrë në Mediaset! Ke hyrë në një ishull më vete, me kolegë gazetarë, operatorë, teknikë, kameramanë, montazhierë e shumë e shumë punonjës të tjerë që kapërcejnë studiot e shumta, me skaletat në duar, për produksionet LIVE që duhet të ndjekin! Kisha takuar një pjesë të “Controcampo-s”, emisionit të kahershëm sportiv të Italia 1, drejtor Baldin, por prisja edhe drejtuesin e 10 viteve të mëparshme, pikërisht moderatorin dhe tashmë komentatorin e ndeshjeve, Sandro Piçininin. Dhe ndodhi. Natyrisht, prezantimi ishte më shumë se miqësor. Një kafe e shpejtë, dhe shumë pyetje nga Sandro për formatin e produksionit të bërë në Shqipëri, së fundmi në “Ora News”, me “Ora Skaner”. Nëndrejtor Maxini merr “pak leje” nga regjia dhe në një hapësirë publicitare futemi në studion ku kishte nisur transmetimi i “Sport Mediaset”, një prodhim që arrinte një audiencë nga 2.5 deri në 3 milionë shikues në ditë. Me matës të saktë, preciz dhe të përditshëm. Prezantonte Beatriçe Geci, ndërsa Benedeta, një tjetër simpatike dhe moderatore njëherësh, atë ditë ishte në aneksin e komentimit të rrjeteve sociale.
Një përshëndetje, dhe menjëherë moderatorja merr kontakt me regjinë. Sepse, pas pak niste pjesa tjetër. Dhe një provokim miqësor nga nëndrejtori: “Gert, sei pronto per entrare?” (Je gati për studio?) Një ëndërr qoftë edhe për fare pak minuta të dalësh në atë ekran, të asaj Perandorie, edhe pse, “Mai dire mai” (kurrë mos thuaj kurrë).... Pas shumë e shumë bisedave me Bruno Longin, Sandro Piçininin, Luçia Blinin, apo edhe shumë kolegë të tjerë, vetë drejtor Bandi së bashku me Maxinin propozojnë të hyjmë diku tjetër. S’ka kamera, por është një diçka brenda ishullit mediatik, vetëm për punonjësit. “Media Center” në Mediaset. Dhe çfarë konkretisht? Një godinë ku kishte gjithçka do të shërbente për shopping për të gjithë punonjësit që ishin dhe punonin aty me orë e orë të tëra. Deri te Banka, apo shërbimet turistike, deri te palestra, apo edhe libraria. Gjithçka, për ata punonjës. Ishte një kuadrat madhor në periferi të Milanos. Ishte një shtëpi më vete, ku orari edhe dihej, por ngarkesa lypte të kaloje edhe jo pak për shopping. Dreka, natyrisht shtoi më shumë pyetjet në drejtim të asaj që vetë drejtor Baldi e konsideronte, si interes. Tashmë redaksia e tyre prej më shumë se 50 gazetarësh pritej të merrte zgjerim, pasi edhe impenjimi i Mediaset Premium përkonte me marrjen e të drejtave të plota dhe ekskluzive të Ligës së Kampioneve, për 3 vitet e ardhshme, duke nisur nga edicioni i ardhshëm. Një kosto diku te 700 milionë euro për 3 sezone sipas vetë titullarit, dhe ku natyrisht, kosto duhej të përballej me servirjen profesionale te abonentët sa më mirë. Sapo u përcjell lajmin që je simpatizant i Juventusit, Baldi, mes batutës, por edhe së vërtetës të thotë: “Gert, questa e’ una pessima notizia (Një lajm i keq ky...). Ndërkaq, replika vjen e menjëhershme, por në tavolinën e një restoranti ku ishte një Mediaset i tërë që konsumonte drekën, dhe jo vetëm: “Sandro, senza Milan e Inter in Champions, gli abbonnatti sono solo gli juventini...” (pa Inter e Milanin në Ligën e Kampioneve, tashmë abonentët do të jenë vetëm juventinë...). Dhe kjo ishte një e vërtetë e madhe, pasi, sipas Baldit, Juventus kishte afro 10 milionë tifozë, më pas vinte Milan, Inter i treti, dhe më tej Napoli e Roma. Mbyllja mbetet konstante nga kolegët atje: Gert, salutami Xhani! (Të fala Xhanit). Dhe pikërisht bashkëkombasit të tyre De Biazit, trajnerit që ata janë në dijeni që po bën shumë për këtë kombëtare dhe po ecën mbi bazën e një projekti. Dhe ftesa është sërish për pak muaj më vonë, për më shumë detaje, që ndoshta është shumë herët të flasësh tani. Mbetet një ëndërr të jesh pjesë e atij grupi mediatik, por asgjë nuk është e pamundur. Dhe indiciet mbeten! Teksa i drejtohesh daljes dhe përshkon edhe kullën e Drejtorit të Përgjithshëm të grupit, Piersilvio Berluskonit (djalit të presidentit të Milanit), dëshira mbetet konstante për një kthim të shpejtë, që do të ndodhë. Një epilog miqësor me Sandron dhe Xhanlukën dhe me tradicionalen e tyre mes buzëqeshjes: “A presto Gert!” (Së shpejti!). Jashtë godinave, natyrisht mes shumë kolegësh presin autobuzët që çojnë çdo punonjës të grupit drejt stacionit të trenit për t’u shpërndarë secili më pas në pika të ndryshme të Milanos. Një ditë në këtë Perandori ekranesh, duke prekur nga afër, atë që për kaq vite është përcjellë nga po këto ekrane! Kaq, për ato orë simpatike në qytetin e vogël “Mediaset”. Për t’u kthyer së shpejti, me guximin dhe shansin për më shumë.
Sport Mediaset, 3 vjet Champions League
Edicionin e ardhshëm futbollistik, grupi mediatik “Sport Mediaset” ka marrë si paketë ekskluzive të plota ndeshjet e Ligës së Kampioneve, në një shumë aspak modeste, për të mos thënë jashtëzakonisht të madhe: 3 sezone Champions në Mediaset Premium me vlerë 700 milionë euro. Deri këtë vit, këto të drejta i kishte Sky Calcio, por ndeshjen kryesore të së mërkurës mbrëma e transmetonte edhe Canale 5. Këto tre edicione tashmë do të jenë të gjitha FULL-Time në ekranin e abonentëve të Mediaset Premium. Një investim nga vetë aksionerët e Koorporatës së madhe mediatike, të cilët kërkojnë të japin grushtin e radhës, në tregun e audiencës italiane.
Një familje gazetarësh, asnjë juventin
Shtrirja e transmetimeve sportive të rrjetit gjigant italian përfshin një kosto të madhe, e cila prek edhe burimet njerëzore. Janë jo pak, por 55 gazetarë, të cilët natyrisht do të pasojnë me zgjerim, në momentin kur do të nisin transmetimet e Ligës së Kampioneve. Tashmë, këtë edicion finalja e madhe e Ligës së Kampioneve do të luhet në Milano, dhe ku do të ketë një tjetër impenjim profesional, por Europa League e këtij edicioni, transmetuar dhe emetuar në Mediaset Premium shfaq interesin, në aspektin e shumë skuadrave italiane të përfshira në të. Në dallim me Champions League, ku duket se për edicionin e ardhshëm në nivel abonimesh, ajo që do të mbajë më shumë të tilla është Juventusi. Edhe pse, çudia më e madhe është se askush nuk ishte juventin, as milanist, por...interist. Natyrisht, jashtë ekranit.
Sandro Piçinini, dobësia e “Controcampo
Sandro Piçinini, moderatori italian prej 10 vitesh me formatin jashtëzakonisht të ndjekur “Controcampo”, së bashku me gazetarin tjetër Bruno Longhi, shfaqin një njohje jo të vogël në lidhje me Shqipërinë. Kjo, duke nisur me de Biazin, por edhe me një interes të tyre të fshehur, për të mësuar diçka më shumë për vendin fqinj, ku dhe prezenca shqiptare në qytetet italiane nuk është e vogël prej shumë vitesh. Sandro edhe pse nuk e shpreh, sërish duket se i mungon paksa “Controcampo”, teksa Baldi, drejtori aktual duket të ketë një dorë një tjetër projekt, atë të shtrirjes së produksioneve sportive për edicionin e ardhshëm, ku sërish prezenca e moderatores femër do të jetë primare.Marrë nga Shekulli