Korçë, sistemohet me banesë nëna e dy fëmijëve, në pritje edhe të punës
Historia e publikuar në Ora News e nënës së dy fëmijëve që endej rrugëve me djalin 6-vjeçar në të ftohtin e Korçës, tashmë ka marrë zgjidhje. Pas transmetimit në RTV Ora News, gruas i është gjetur një strehë që i paguahet nga një emigrant, një vend pune dhe përkohësisht do të ndihmohet me ushqime nga dy fondacione.Pogradec - “Ndihem shumë e lumtur, ju falenderoj që më ndihmuat”.Tashmë, Driola Kumria, nëna endacake e cila pak ditë më parë iu drejtua Ora News për ndihmë, ka një strehë dhe nuk fle më rrugëve, në polici apo spital.Dy ditë pasi ajo u strehua në një banesë në Pogradec, ne shkuam e pamë nga afër kushtet ku ajo po jeton. Gëzimi i Driolës është i madh, ndonëse në fytyrë i pasqyrohen gjurmët e vuajtjes.Driola Kumria: “Mëngjesin dhe drekën ha ushqim, vjen këtu e marr unë, rri në shtëpi, loz përjashta më fëmijët. Besoj që të filloj punë sa më shpejt. Të marr një çikë veten me gjërat e mija dhe do ta tërheq shumë shpejt dhe fëmijën nga koha e beharit”.Përveç një strehe, qeraja e së cilës është paguar dhe do vijojë të paguhet nga një emigrant korçar, fëmija 6-vjeçar i Driolës është vendosur në një kopësht ku përveçse mëson i ofrohen edhe dy vakte ushqim.Pas lajmit në Ora News dhë ndërhyrjes së Shërbimit Social, edhe dy fondacione do ta ndihmojnë nënën e dy fëmijëve me pako ushqimore, ndërsa brenda javës ajo pritet të fillojë punë.Marjana Jorgji: “ Kemi folur, i jemi drejtuar dhe Bashkisë Pogradec për të parë jo vetëm punësimin e nënës ndoshta në sektorin e gjelbërimit, por dhe për ta strehuar më vonë nënën në një strehë me kosto të ulët. Rasti nuk nuk do të përfundojë këtu por do të ndiqet jo vetëm nga Shërbimi Social por nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve në Pogradec, për ti qëndruar më afër nënës dhe për ta këshilluar atë”.Pak ditë pasi të sistemohet, nënës 39-vjeçare do t'i lejohet të marrë dhe fëmijën e vogël 1 vjeç e gjysëm, që momentalisht ndodhet në Shtëpinë e Fëmijës në Korçë.