Egjipt, aleatët e ISIS kryejnë sulme në Sinai, 26 viktima

Të paktën 26 vetë, shumica ushtarë, kanë humbur jetën, ndërsa 50 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pas një serie sulmesh nga militantët islamikë në gadishullin Sinai në veri të Egjiptit.Një makinë bombë shpërtheu dhe disa zona ushtarake u sulmuan me predha në kryeqendrën e provincës, El-Arish. Një tjetër sulm ndodhi në qytezat Sheik Zuvajid dhe Rafah, pranë kufirit me Gazan.Sulmet u morën përsipër nga grupimi Ansar Beit Al-Makdis, i cili është betuar për aleancë ndaj Shtetit Islamik.Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan aktin dhe nxituan të mbështesin qeverinë egjiptiane për të luftuar terroriznim.Militantët e grupimit ekstremist i kanë shtuar sulmet e tilla që kur Presidenti i Vllazërisë Muslimane, Mohamed Mursi, u rrëzua nga pushteti në vitin 2013.Java e kaluar ka qenë e mbushur me tensione në Egjipt pasi disa vetë humbën jetën gjatë protestave në përvjetorin e kryengritjes së vitit 2011 dhe përmbysjes së diktatorit Hosni Mubarak.Në përpjekje për të penguar depërtimin e militantëve ekstremistë, Egjipti po punon të krijojë një zonë sigurie me gjerësi 1 kilometër në kufirin me Gazan.Sipas këtij projekti më shumë se 1000 familje janë larguar nga Rafah, ndërsa jeta ekonomike e shumë palestinezëve është përkeqësuar.