Mijëra në protesta, por opozita s’bën dot 40 firma për shkarkimin e Jabllanoviç

Edhe pse arritën të nxirrnin dhe organizonin mijëra qytetarë të Kosovës në protesta për të shkarkuar Ministrin serb në qeveri, Aleksandër Jabllanoviç, deputetët opozitarë në parlament nuk kanë arritur të mbledhin 40 firmat e nevojshme për të thërritur seancën e jashtëzakonshme ku do të kërkohet largimi i tij.Sipas raportimeve në mediat e Kosovës, mësohet se deri tani, Lëvizja Vetëvendosje, Nisma dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë mbledhur vetëm 36 firma, nga 40 që nevojiten.Vetë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Jabllanoviç duhet të japë dorëheqjen, por gjithësesi deputetët e partisë së tij nuk kanë dhënë firmën për thirrjen e seancës.Ndërkohë, liderët e opozitës, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj janë takuar një natë më parë dhe kanë rënë dakord që protestat do të vazhdojnë, edhe pse nuk kanë caktuar ende datën e radhës."U konfirmua që edhe AAK-ja edhe NISMA do të jenë edhe në protestën e ardhshme, për datën e mbajtës të së cilës do ju njoftojmë", mësohet të ketë thënë Kurti për gazetarët.Edhe lideri i AAK-së Haradinaj i ka kërkuar qytetarëve që të bashkohen në protestë, por paqësore. Para takimit me Kurtin dhe Limajn, Haradinaj ka pritur në zyrat e partisë së tij Ambasadoren amerikane, Trejsi En Xhekobson dhe atë britanik, Ian Klif.