“Çështja Sillver”, prokurorët zbulojnë skemat miliona dollarëshe të përfitimit

Autoritetet federale amerikane thonë se kryetari i Asamblesë së Nju Jorkut, Shelldon Sillver, i arrestuar një ditë më parë dhe i lënë në liri me kusht pothuajse menjëherë, ka abuzuar me detyrën duke marrë rryshfete deri në 4 milionë dollarë.Për vite me radhë, Sillver ka fituar të ardhura të konsiderueshme jashtë pagës dhe shpërblimeve të postit të tij në qeverinë e shtetit të Nju Jorkut, të cilat i ka justifikuar si shpërblim për punën e tij si jurist i pavarur.Por prokurorët federal thonë se kompania e avokatisë që ai pretendon se kishte ngritur më tepër ishte një firmë fantazmë, e krijuar prej tij për të mbuluar rryshfetet që merrte përmes një skeme të mirëorganizuar në një periudhë dhjetëvjeçare.Në një prej skemave të korrupsionit të përmendura në gjykatë, Sillver i kërkonte kompanive që merreshin me shitjen e pronave që të punësonin për këshillim juridik firmën që i këshillonte ai, më saktë firmën e asistentit të tij.Nga këto sugjerime, prokurorët thanë se ka përfituar 700 000 dollarë të cilat nuk i ka raportuar në listën e të ardhurave vjetore.Në këmbim të këtyre shumave, Sillver merrte vendime në postin e tij si kryetar i Asamblesë që Nju Jorkut, që ndihmonin firmat e ndërtimit të lidhura me kompanitë e pasurive të patundshme.Një tjetër skemë edhe më fitimprurëse sipas prokurorëve është edhe favorizimi i firmës juridike "Witz & Luxenberg", ku Sillver ka punuar për më shumë se një dekadë.Ai i ofronte grante deri në 500 000 dollarë një mjeku në Qendrën Kërkimore të Mesoteliomës në Universitetin e Kolumbias, një ndër më të mëdhenjtë në SHBA, në këmbim të orientimit të pacientëve drejt firmës juridike në fjalë në rastet që do të ngrinin padi ndaj punëdhënësit të tyre për kushtet e punës.Sipas prokurorëve, më pas, nga komisionet e kolegëve, Sillver ka fituar deri në 3 milionë dollarë. Firma juridike i ka mohuar akuzat, edhe pse ka pranuar se zyrtarisht se Sillver ishte punësuar vetëm për të rritur prestigjin e firmës dhe se nuk kishte asnjë detyrim paraqitjeje në zyrat e saj.Në rolin e kryetarit të Asamblesë së Nju Jorkut që prej vitit 1994, Sillver është konsideruar si një prej personave me më shumë peshë në Partinë Demokratike të Presidentit Obama.Hetimi ndaj tij u ndërpre papritur nga Guvernatori i shtetit, Endrju Kuomo, por prokurorët federal e vazhduan punën që solli në ndalimin e tij.Gjykata federale ka vendosur të ngrijë llogaritë e tij në tetë banka ku kishte depozituar rreth 3.8 milion dollarë. Për të shmangur turpin e qelisë, Sillver dorëzoi pasaportën dhe pagoi 200 000 dollarë për t'u lënë i lirë me kusht në pritje të verdiktit.Nëse dënohet, atë e presin maksimumi 20 vjet burg për secilën nga akuzat.