Merkel mesazhe Syriza-s: Greqia u ka qëndruar gjithmonë marrëveshjeve
Gjatë vizitës së saj në Itali, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ritmi i reformave strukturore që po ndërmarrin vendet e Eurozonës nuk mund të ngadalësohet nga vendimi i Bankës Qendrore Europiane për të nisur programin e rehabilitimit të ekonomisë së unionit.E shoqëruar nga Mateo Renci, nën statujën e famshme të Davidit në Firence, qytetin aq të dashur për kryeministrin italian ku ka shërbyer si kryetar Bashkie, Merkel dha mesazhe inkurajuese për ata që janë shqetësuar nga vendimi për shtimin e ofertës monetare në Eurozonë me 1.1 trilion euro brenda dy viteve të ardhshme.Të gjitha vendet e Eurozonës i kanë sytë nga Gjermania pasi mendohet që nisma e Bankës Qendrore ka marrë bekimin e Merkelit, por kancelarja tha se të gjithë, nga Berlini e deri te Brukseli, duhet të ndërmarrin reforma shtesë për të ndihmuar rritjen e ekonomisë dhe eliminimin e burokracive.Përveç Italisë, edhe Greqia është nën presion për të zbatuar reforma të vështira si pjesë e programit të daljes nga kriza.Zgjedhjet e së dielës në vendin fqinj do të monitorohen nga afër, pasi fitorja e mundshme e Syriza-s mund të nisë një efekt domino për të kundërshtuar huadhënësit e Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.Por si Merkel, ashtu edhe Renci, shprehën besim për rezultatin që do të dalë nga zgjedhjet e së dielës."Po presim për rezultatin e zgjedhjeve, populli grek do të zgjedhë i lirë dhe i pavarur e më pas do të nisim diskutimet me qeverinë që do të zgjidhet. Greqia ka kryer një rrugëtim të vështirë me shumë sakrifica dhe gjithmonë i ka qendruar parimeve të marrëveshjes që kemi bërë"tha Merkel."Nuk jam i shqetësuar për rezultatet e zgjedhjeve greke dhe e respektoj lirinë e zgjedhjes së popullit grek.Edhe Italia po ndryshon, jo sepse e kërkon Europa, por sepse kjo është rruga e duhur"u shpreh Renci.Megjithë mesazhet shpresëdhënëse, kancelarja u prit me protesta në Firence, ku rreth 150 persona u mblodhën kundër politikave ekonomike të Europës dhe papunësisë së lartë në shumë vende të Bashkimit Europian.