Nishani takim me gratë deputete, shqetësim për dhunën në familje
Presidenti, Bujar Nishani, gjatë së premtes zhvilloi një takim me një grup përfaqësues të "Aleancës së Grave Deputete", për t'u konsultuar e diskutuar lidhur me nismën e tyre për një aksion kombëtar kundër dhunës me bazë gjinore.Të alarmuara nga rritja e numrit të krimeve ndaj grave dhe dhunës në familje Aleanca e Grave Deputete synon së pari sensibilizimin e të gjithë opinionit publik, dhe së dyti një monitorim më të rreptë ndaj zbatimit të ligjit nga institucionet përgjegjëse.Kryetarja e Aleancës, Mesila Doda, gjatë takimit vlerësoi angazhimin e Presidentit Nishani, i cili i shërben ngritjes së kësaj çështjeje në nivel edhe më të lartë dhe të merituar.Nishani premtoi se do ta trajtojë me përparësi publikisht dhe institucionalisht këtë çështje, përfshirë në cilësinë e tij si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke bërë me dije se ka kërkuar takim të posaçëm me Prokurorin e Përgjithshëm pikërisht për këtë temë, si dhe faktin se do të verë menjëherë në lëvizje edhe më dinamike KLD-në për inspektimin tematik të Gjykatave për vitet 2013-2014, në trajtimin e çështjeve të dhunës në familje dhe mbi bazë gjinore.