E akuzon për lidhje me krimin, Tahiri padit Palokën: Shpifës profesionist
Partia Demokratike, nëpërmjet zërit të kryetarit të grupit parlamentar Edi Paloka, ka dënuar ndërhyrjet e Ministrit të Brendshëm në debatet televizive dhe presionit që sipas tyre ai ushtroi ndaj medias e ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë.Paloka, nga selia blu akuzoi drejtpërsëdrejti ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri për lidhje me krimin dhe sipa tij dyshimet që lindin pas fabrikës së kokainës sjellin nervozizmin e deklaratat e papranueshme të tij.Por kjo akuzë e drejtpërdrejtë mbi ministrin Tahiri, ka bërë që ai të ngrejë padi penale dhe civile për kryetarin e grupit parlamentar të PD Edi Paloka, duke e cilësuar si shpifës profesionist."Edi Palokën e njeh mirë çdo qytetar, që ndjek jetën politike shqiptare dhe s'ka dyshim se jo vetëm mes qytetarëve pa dallime partiake, po edhe mes vetë kolegëve të tij partiake, ka konsensus të plotë për faktin se ky individ jeton me profesionin e shpifësit, por ka ardhur koha që Edi Paloka të provojë të kundërtën, duke i rrëfyer përpara një trupi gjykues faktet që ai disponon për dalldisjet e tij publike"- thuhet në reagimin e ministrisë së Brendshme.Ministri Tahiri, shprehet i gatshëm që në rastin e paraqitjes së një prove të vetme nga Edi Paloka, lidhur me akuzat e ngritura, të përballet me të vërtetën në të gjitha mënyrat, për përgjegjësinë që mban në detyrë por edhe para ligjit e drejtësisë po ashtu./Oranews.tv/