Arabia Saudite varros Mbretin Abdullah, mijëra vetë mblidhen në Mekë
Edhe pse jetoi për pjesën më të madhe të kohës si një prej njerëzve më të pasur të historisë së njerëzimit, Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite u varros përmes një ceremonie modeste, ku morën pjesë vetëm familjarët e afërt.I mbështjellë me një rrobë të bardhë, në fund iu vendos vetëm një gur mbi varr, duke ruajtur traditën e shkollës vehabiste të islamit sunit, që dominon Mbretërinë.Sipas vehabistëve, vajtimet e tepruara dhe mbajtja e zisë janë të ndaluara, pasi konsiderohen mëkat dhe idhujtari.Para varrosjes, trupi i Mbretit të ndjerë u dërgua në një xhami me ambulancën e qytetit ku klerikët myslimanë dhe qindra princa sauditë e biznesmenë miliarderë u bashkuan për t'i dhënë lamtumirën e fundit.Në vend kanë mbërritur liderë të shumtë nga e gjithë bota për të nderuar Mbretin e ndjerë dhe Mbretin e ri, vëllain 79-vjeçar Selman.Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ishte ndër të parët që shkeli në Riad, ndërsa amerikanët, aleatët e ngushtë të dinastisë saudite që prej krijimit të mbretërisë, do të mbërrijnë në ditët në vazhdim me një delegacion të kryesuar nga zëvendës.presidenti Xho Bajden.Mbreti Abdullah dhe pasuesi i tij, i kanë caktuar vetes edhe titullin e Kujdestarit të dy Xhamive të Shenjta, asaj të Mekës dhe Medinës, duke legjitimuar në një farë mënyrë sundimin e familjes së saudëve mbi pjesën më të madhe të Gadishullit Arabik.Që nga themelimi i Mbretërisë në vitin 1932 nga Mbreti Abdulaziz Ibn Saud, të gjithë mbretërit pasues kanë qenë bijtë e tij.Edhe Mbreti Selman, 79-vjeçar, caktoi një tjetër vëlla si princ trashëgimtar, por pas tij emëroi një prej qindra nipave për të shmangur paqartësi dhe konflikte për të ardhmen e vendit.Në daljen e parë publike pasi mori fronin, Mbreti Selman tha se do të vazhdonte politikat e vëllait, për të mbrojtur kauzën e arabëve dhe myslimanëve në botë.Por sfidat që e presin Mbretin e ri janë të shumta.Arabia Saudite është tej mase e shqetësuar për rrënimin e qeverisë së Jemenit, pasi rebelët mbështeten nga Irani, rivali i madh për ideologji fetare dhe dominimin në rajon.Edhe çmimi i naftës në rënie të lirë është një tjetër problem madhor për prodhuesin më të madh të OPEC-ut, por gjendja në Siri dhe rreziku nga radikalët islamikë do të jenë sërish në epiqendër të monarkisë së re.