Durrës, ligji antiduhan nuk gjen zbatim
Durrësi është një prej qyteteve ku ligji për moskonsumimin e duhanit në ambiente publike neglizhohet. Në këto kushte Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror kanë bashkuar forcat duke nisur kontrolle në bare e restorante, ku nuk kanë munguar dhe penalizimet.Ligji antiduhan në numrin më të madh të bizneseve në Durrës nuk zbatohet. Në të tilla kushte, për të treguar forcën e ligjit, inspektorë të AKU-së dhe Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror, të mbështetur nga efektivat e rendit janë bërë bashkë dhe kanë nisur kontrollet.Ndalesa e parë u bë tek lokalet përgjatë rrugës "Dëshmorët", ku u gjobitën dy subjekte nga 350 mijë lekë secili. Kryeinspektori i ISHSH, Eltar Deda pranon se në Durrës ky ligj nuk po zbatohet.“Përsëri ka disa lokale që e kanë shkelur këtë ligj dhe ne sapo vendosëm një masë ndëshkimore ndaj një lokali dhe një duhanpirësi”.Edhe kreu i Përgjithshëm i AKU-së pohoi që në lokalet e restorantet e Durrësit konsumohet duhan, teksa paralajmëroi penalizime për këto që shkel ligjin.“Kemi disa gjoba të vëna në Tiranë, Durrës apo në qyetet të tjera të Shqipërisë, por ka akoma abuzues të cilët mund ta pijnë duhanin fshehur, gjithësesi ne jemi të vendosur që ta zbatojmë këtë ligj.”Mbetet për t'u parë në terren efiçenca e grupeve të kontrollit dhe mbi të gjitha, nëse edhe pas këtij paralajmërimi, ligji antiduhan në Durrës do të zbatohet apo jo.