Lufta ndaj terrorizmit, Kurz: Mos lejoni radikalët të kthehen në Kosovë

Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, vlerësoi përpjekjet e Kosovës për dialogun ndërfetar dhe i bëri thirrje autoriteteve në vend që të siguroheshin se asnjë individ i radikalizuar të mos vërë këmbë në vend.Në konferencën për shtyp pas vizitës në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi, Kurz ngriti alarmin për numrin total të luftëtarëve nga Europa që luftojnë në vatrat e luftës në Lindjen e Mesme."Dialogu ndërfetar në Kosovë funksionon mjaft mirë dhe vendi ka ndërmarrë hapa të qartë kundër radikalizimit, në mënyrë që islami europian siç është zhvilluar në Kosovë të vazhdojë, ndërsa tendencat radikale të mos gjejnë strehim këtu.Nga ana tjetër, rreth 5 000 vetë nga Europa kanë shkuar në Irak dhe Siri për të luftuar. Këto shifra për mendimin tim janë dramatike jo vetëm sepse vrasin dhe përdhunojnë të tjerët dhe kërkojnë të shfarosin pakicat fetare, por sepse përbëjnë rrezik tepër të madh kur kthehen në Europë".Kosova ka ngritur alarmin si një prej vendeve me më shumë persona të nisur drejt Sirisë dhe Irakut për të luftuar për organizata të ndryshme terroriste atje.Deri tani 20 vetë kanë vdekur në luftime, ndërsa agjenci të ndryshme sigurie raportojnë se numri total shkon deri në 200 vetë.Në ditët e fundit të 2014-ës, policia arrestoi një shtetas serb të dyshuar se po planifikonte një sulm terrorist, të cilit iu gjet rreth 12 kilogram lëndë plasëse në makinën e parkuar pranë një zone ku gjendeshin disa Ambasada të vendeve perëndimore.Thaçi u zotua në emër të qeverisë së Kosovës se vendi do ta luftojë me çdo mjet ekstremizmin."Ajo që mund të them është se ne do të jemi të pa kompromis dhe do të kemi zero tolerancë ndaj elementëve ekstremistë dhe radikalë, kudo qofshin".Të hënën, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u zotuan që do t'i luftojnë radikalët që kthehen nga Iraku dhe Siria me një strategji më të qartë.Reagimi në të gjithë kontinetin ka qenë i menjëhershëm që pas sulmeve të 7 janarit në Paris, si dhe parandalimit të disa atentateve.BE ka si prioritet neutralizimin e trafikimit të armëve, mbështetjen për policinë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, si dhe parandalimin e qytetarëve për t'u larguar për në Irak dhe Siri.