Shqipëri-Singapor, intesifikim të marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike
Shqipëria dhe Singapor do të intensifikojnë edhe më shumë marrëdhëniet e tyre diplomatike dhe ekonomike. Kjo ka qenë thelbi i bisedës së ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, gjatë takimit me Kryetaren e Parlamentit të Singaporit Halimah Yacob, në ditën e dytë të vizitës.Në takim, palët diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh, intensifikimin e kontakteve politike nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë si dhe intensifikimin e diplomacisë parlamentare. Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe tregtare, si dhe u diskutua mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ngjarjet më të fundit ne Azinë Juglindore.Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Bushati u prit edhe nga Ministrja pranë zyrës së Kryeministrit, Ministre e Dytë për Mjedisin dhe Burimet Ujore dhe Ministre e Dytë e Punëve të Jashtme të Singaporit, Grace Fu.Gjatë takimit, palët diskutuan mbi intensifikimin e raporteve dypalëshe mes Singaporit dhe Shqipërisë, si dhe zhvillimet më të fundit në dy rajonet respektive. Znj. Fu vlerësoi bashkëpunimin që të dy vendet kanë në organizmat ndërkombëtarë dhe shkëmbimin e mbështetjes reciproke, si një bazë e mirë e intensifikimit të raporteve tona.