Kriza ekonomike, 3 mujori i fundit i 2014 më pak të ardhura për shqiptarët
3 muajt e fundit të vitit 2014 kanë qenë ndër më të vështirat e kohëve të fundit për shqiptarët përsa i përket aspektit ekonomik. Niveli i krizës financiare për familjet ka prekur limitet duke i detyruar qytetarët të shtrëngojnë rripin e të mos blejnë dot as ushqimet e shportës në dyqane.Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e katërt të 2014 Qytetarët kanë blerë shumë më pak produkte , kanë marrë më pak të ardhura dhe nuk kanë më besim për gjetjen e një vendi pune. Treguesi i besimit të konsumatorëve sipas Bankës së Shqipërisë u ul me 3.9 pikë përqindje në tremujorin e katërt, pas dy tremujorësh rritjeje.Ndërkohë përsa i përket punësimit pritjet e konsumatorëve janë pesimiste për 6 muajt e ardhshëm duke u rritur me 1.4 % e cila tregon për papunësi të pritur në rritje. Gjithashtu, konsumatorët perceptojnë kosto të rritur jetese dhe keqësim të gjendjes së tyre financiare në tremujorin e katërt,ndërkohë që balanca e kursimeve shënoi rënien më të theksuar me 10 pikë përqindjeje.Faktorët kryesorë për të cilët bizneset shprehen se kanë vështirësuar ecurinë normale të aktivitetit të tyre janë ekonomia informale , kuadri ligjor dhe zbatueshmëria e tij. Bizneset e shërbimeve janë më pak optimiste për gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend.Treguesi i balancës ra me 6.7 pikë përqindje në tremujorin e katërt, ndërkohë që balanca e pritjeve për tremujorin e parë të vitit 2015 shënoi një rritje të lehtë me 1 pikë përqindjeje.Po ashtu edhe nga sektori i tregtisë dhe industrisë situata ekonomike është vlerësuar në rënie.Por pavarësisht këtyre treguesve negative përsa i përket ndjesisë së konsumatorëve dhe vlerësimit të disa sektorëve të biznesit treguesi i ndjesisë ekonomike në tremujorin e fundit të 2014 ka qenë pak më pozitiv në krahasim me tremujorët e fundit .