Shoqata e Bashkive: Qeveria të plotësojë aktet nënligjore të ligjit të ri të Urbanistikës

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë përshëndet vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese e cila hodhi poshtë si antikushtetues dhe në shkelje të autonomisë vendore vendimin e marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit në gusht 2014 për pezullimin e lejeve zhvillimore në njësitë e qeverisjes vendore.Sipas Shoqatës, vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ashtu si edhe vendimi i mëparshëm per kompetencat e INUK konfirmon dhe njëherë se aktet e sipërcituara qeveritare janë marrë duke uzurpuar, shkelur dhe dhunuar autonominë e qeverisjes vendore dhe përcaktimet ligjore e kushtetuese.“Për fat të keq, mosrespektimi i këtyre vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, praktikat në vijëmësi të qeverisë Rama në kundërshtim të plotë e të hapur me këto vendime si dhe me ligjet dhe dispozitat kushtetuese që sanksionojnë autonominë e pushtetit vendor, kanë cënuar dhe vazhdojnë të cënojnë rëndë mundësitë e qeverisjes vendore për të ofruar shërbime dhe investime për qytetarët.Këto praktika të paligjshme të qeverisë kanë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës ekonomike përmes bllokimit të investimeve publike dhe private në ekonomitë vendore dhe kanë përkeqësuar ndjeshëm gjëndjen ekonomike të qytetarëve duke rritur papunësinë dhe përkeqësuar shërbimet bazë” thuhet në deklaratën për mediat.Ndonëse Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë vendimin për pezullimin e lejeve zhvillimore ato mbeten të bllokuara. Kjo sepse ndonëse ligji i ri për urbanistikën ka hyrë në fuqi që nga 1 tetor 2014, qeveria vazhdon të mos plotësojë aktet nënligjore duke pamundësuar në këtë mënyrë zbatimin e ligjit.Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i bën thirrje Kryeministrit të përmbushë detyrimet ligjore dhe kushtetuese dhe të ndalë praktikat antiligjore dhe antikushtetuese të shkeljes dhe dhunimit të autonomisë vendore.