Xhindi: Hapja e dosjeve duhet të kishte ndodhur, Lustracioni më i rëndësishëm
Nevila Xhindi, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës ka deklaruar në studion e “Jamais Vu” të gazetarit Mustafa Nano, se hapja e dosjeve duhet të kishte ndodhur. Sipas saj hapja e dosjeve do të thotë goditje e nivelit bazik të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.Për nënkrytaren e Bashkisë së Tiranës, ajo që ka më shumë rëndësi është lustracioni pasi ka të bëjë me ata që kanë qenë drejtuesit e që mund të jenë sërish në pushtet.
Duke iu referuar fotove të dosjeve të STAS-it gjermano gjermanolindor, Nevila Xhindi tha:“Studimet për doktoraturën i kam kryer në Potsdam, në atë vend ku ka qenë qendra e STAS-it. Kam refuzuar ta shoh muzeumin që ishte vendosur në godinën e Shërbimit Sekret, një godinë e viteve 1700. Vetë godina, dhe muzeu mbante një peshë shumë të madhe aq sa nuk ishte emocionalisht mirë për ta përballuar. Në Gjermaninë Lindore, për shkak të presionit të madh psikologjik të gjithë kanë spiunuar njëri tjetrin. Hapja e dosjeve duhet të kishte ndodhur në Shqipëri. Tani po flitet shumë për të, madje ka dhe një iniciativë ligjore që ka shkuar në parlament. Partia Dmemokratike kur ka qenë në mazhorancë e ka sjellë atë ligj. Hapja e Dosjeve do të thotë të godasë nivelin bazik të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Por Lustracioni është dhe më i rëndësishëm, pasi ka të bëjë me ata që kanë qenë drejtuesit e që mund të jenë sërish në pushtet. Këtu është problemi sa do t’i hapen petët byrekut. Aktualisht zv. Ministri i Brendshëm Isarai, ka qenë funksionar i lartë në Ministrinë e Brendshme deri në fund të viteve ’80. Por dosjet duhet të hapen që të shpëtojmë nga një makth i madh.”