Protesta në Ankara kundër futjes së osmanishtes në shkolla
Turqi-Me dhjetëra protestues u arrestuan këtë të shtunë në Ankara, gjatë protestave të dhunshme në kryqytetin turk. Demonstruesit kishin dalë në rrugë për të kundërshtuar vendimin më të fundit të qeverisë për të futur osmanishten me detyrim në shkollat e mesme.Protesta u organizua nga sindikatat e punëtorëve. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, në përpjekje për të shpërndarë turmën. Kohët e fundit mjaft aktivistë kanë shfaqur pakënaqësi me ndërhyrjet e qeverisë në sistemin arsimor, me pretendimin se po cënon laicitetin e vendit.Vitin e kaluar, qeveria e partisë Drejtësi dhe Zhvillim, e drejtuar nga Erdogan para se të bëhej president, anulloi vendimin për moslejimin e mbulesave fetare në shkolla dhe ka inkurajuar hapjen e shkollave ku kurrikula moderne ndërthuret me edukatën fetare.Vetëm pak ditë më parë, autoritetet shtetërore turke, arrestuan disa gazetarë dhe drejtues të dy mediave në vend, me akuzën se kishin komplotuar për përgjimin dhe rrëzimin e qeverisë duke i dalë në krah disidentit dhe rivalit politik të Erdoanit, Fetullah Gylen, i cili momentalisht qendron si azilant në SHBA. Vendimi është dënuar nga Bashkimi Europian, me të cilin Erdoani është në bisedime për anëtarësim që prej vitit 2002.