Shkodër, prefekti takon banorët: Stadiumi do ndërtohet, s'ka diskutim

Shkodër - Stadiumi "Loro Boriçi" do të bëhet dhe nuk ka asnjë diskutim tjetër, por unë do të kërkoj që projekti të prekë sa më pak shtëpi dhe aty ku ndërhyhet të jepet kompensimi sipas vlerës së tregut.Këtë përgjigje i ka dhënë banorëve të lagjes "Ahmet Haxhia", prefekti Paulin Radovani, i cili i priti në një takim në zyrën e tij, 24 orë pas protestës që ata zhvilluan përpara këtij institucioni.Radovani kritikoi bashkinë e Shkodrës që si pronare e truallit dhe administratore e qytetit, deri më sot nuk ka dërguar minimalisht një shkresë në qeveri për të kërkuar një sqarim mbi investimin në fjalë.Por kjo tryezë diskutimi me përfaqësuesit e mbi 30 familjeve që u preken shtëpitë nga ndërtimi i stadiumit nuk dha ndonjë rezultat final, sipas tyre.Ata dolën të pakënaqur nga takimi, edhe pse deri më sot prefekti Radovani ka qënë i vetmi që është interesuar personalisht për projektin e stadiumit, duke mundësuar takimin e banorëve me kryeministrin dhe ku ka kërkuar prekjen e sa më pak shtëpive.Në janar, pritet të nisin punimet për stadiumin "Loro Boriçi", i cili do të jetë gati në tetorin e 2015-ës, kur parashikohet të luhet ndeshja me Serbinë./Oranews.tv/