Doda thirrje Veliajt për dosjet: Merr në konsideratë ligjin që është në Kuvend
Pas reagimit në fb, deputetja Mesila Doda,i ka bërë thirrje përmes mediave Ministrit Erion Veliaj të marrë në konsideratë draftin për hapjen e dosjeve të depozituar në Kuvend më 1 dhjetor nga shoqëria civile dhe të lërë përpjekjet për ti mbivendosur një tjetër ligj.“Qysh nga data 1 dhjetor ka një draft të depozituar që është ai për hapjen e dosjeve dhe lustracionin.Një ligj i cili është bërë me ndihmën e ekspertëve të huaj dhe që ka një përfshirje dhe një hapësirë shumë më të gjerë se ajo që kemi parë dje në media. Së dyti dua ti rikujtoj zotit Veliaj se rolin kryesor në propozimin dhe miratimin e ligjeve e ka parlamenti i Shqipërisë, ndërsa ekzekutivi sigurisht që mund të propozojë projektligje po roli i tij primar është ti respektojë ligjet. Në këto kushte do ta ftoja që për sa kohë ka një ligj që është depozituar nga tre parlamentarë shqiptarë në Kuvend të marrë në konsideratë këtë draft që është, të punohet mbi të dhe më pas të mendojë mbi atë se çfarë do të bëjë në të ardhmen” tha ajo.Në cilësinë e një prej firmëtareve të ligjit të lustracionit, Doda tha se ky është një precedent që nuk ka ndodhur më parë.“ Nuk ka ndodhur përgjatë kësaj kohe që ndërsa është një draft në parlament, ekzekutivi të marrë konsultime nga publiku apo shoqatat sesi duhet të bëhet një draft tjetër për të njëjtën çështje që është në Kuvend. Tashmë ligji është në Kuvend, presim të miratohet dhe presim të fillojë proçesi i lustracionit”.