Ministria e Mjedisit: Alb-Garden nuk ka fituar asnjë nga tenderat
Pas akuzave të PD, ka reaguar menjëherë Ministria e Mjedisit, sipas së cilës akuzat janë të pavërteta dhe se Alb-Garden nuk ka fituar asnjë prej tenderave të këtij institucioni."Shtyrë nga akuzat e përsëritura dhe të pavërteta të bëra në drejtim të Ministrisë së Mjedisit nga foltorja e Partisë Demokratike, informojmë edhe një herë opinionin publik se subjekti Alb-Garden nuk ka fituar asnjë nga tenderat e organizuar nga Ministria e Mjedisit si autoritet kontraktor. Madje, sqarojmë, që ky subjekt ka konkuruar dhe nuk ka fituar nga Ministria e Mjedisit si autoritet kontraktor. Ndryshe nga e kaluara ku tenderat dhe pushteti ishte tërësisht i centralizuar nga njerëzit të cilët tani po hedhin akuza tërësisht të pavërteta, sot, në zbatim të plotë të ligjit, Drejtoritë e Shërbimit Pyjor në qarqe janë autoritete kontraktore të mëvetme, me komisione të pavarura pa asnjë lloj varësie nga Ministria e Mjedisit. E përsërisim që subjekti në fjalë ka fituar me garë të hapur dhe të rregullt më pak se 20% të investimeve për gjelbërim dhe rehabilitim.", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mjedisit.Ministria e Mjedisit deklaron se PD vazhdon ende me filozofinë e fjalëve ndërse filozofia e qeverisë dhe ministrisë është puna."Me sa duket selia blu, vazhdon akoma me filozofinë e fjalëve ndërsa ne po ecim me filozofinë e punës. Filozofia e tyre e fjalëve na la si trashëgimi një gjendje alarmante të pyjeve shqiptare; një kaos mjedisor me shfrytëzime ilegale dhe pa kriter të shtretërve të lumenjve, të guroreve dhe furrave të gëlqeres; të ndotjes së ajrit dhe asaj akustike; pa asnjë projekt të zbatuar; pa asnjë zonë të rehabilituar; me qindra ndërtime pa leje në parqe kombëtare dhe zona të mbrojtura; me një gjueti të paepur të faunës së egër të cilën e gjetëm në kufirin e shfarosjes totale; me rrugë nacionale të mbuluara me mijëra tonë mbetje dhe pa asnjë gjelbërim; pa asnjë regjistër të përdoruesve të ujit; pa asnjë regjistër mbi dëmet apo gjendjen e pyjeve; dhe mbi të gjitha një mjedis i cili ishte tërësisht jashtë axhendës së qeverisë për investime por burimi numër një për përfitime.Ministria e Mjedisit po punon me ritme të shpejta për të rehabilituar dëmet e jashtëzakonshme të bëra ndaj mjedisit. Më tej ministria sqaron se po punon me ritme të shpejta për të rehabilituar dëmet e jashtëzakonshme të bëra ndaj mjedisit.Për herë të parë në dy dekada, një qeveri mbjell pemë. Ministria e Mjedisit vetëm brenda një viti ka mbjellë 2.5 milione fidanë dhe brenda katër viteve do mbjellë 10 milionë fidanë. Kjo qeveri e ka mjedisin prioritet dhe për herë të parë mjedisi është në qendër të opinionit publik. Jo vetëm ndërmorëm masa ndëshkuese si mbyllja e furrave të gëlqeres, ndalimi i eksportit të qymyrit të drurit, vendosja e moratoriumit 2 vjecar të gjuetisë, etj, por kemi shndërruar në të bukura zonat më të shëmtuara të vendit, kemi përfunduar një sërë projektesh dhe kemi nisur plotësimin e Regjistrit Kombëtar të përdoruesve të ujit dhe kadastrën kombëtare të pyjeve, dhe shumë reforma të tjera të cilat do zbatohen së shpejti me ligjin e ri të pyjeve.Ministria e Mjedisit do vazhdojë punën e nisur për të rritur standartin e jetesës së qytetarëve. Kjo është filozofia jonë e punës dhe asnjë retorikë boshe nuk do bëhet pengesë në punën tonë për ti shërbyer sa më mirë qytetarëve shqiptarë."