Reforma në drejtësi, Nishani nga Londra: Nuk duhet të personalizohet
Reforma në drejtësi nuk duhet të personalizohet, por të jetë gjithëpërfshirëse dhe në frymën e Bashkimit Europian.Këtë mesazh dha nga Londra Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një takim të zhvilluar me Lordë, përfaqësues të Parlamentit dhe personalitete të tjera në vazhdim të vizitës së tij në Britaninë e Madhe.“Si President i Republikës dhe përgjegjësive kushtetuese që kam, i kushtoj vëmendje shumë të veçantë reformës në fushën e drejtësisë. E konsideroj këtë reformë si një prioritet të padiskutueshëm për vendin dhe shoqërinë shqiptare, dhe për këtë arsye në fillim të muajit tetor më 6.10.2014 iniciova një takim gjithëpërfshirës, me të gjithë faktorët dhe aktorët politikë dhe institucionalë ku u diskutua mbi nevojën e një reformë thelbësore, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë.Mesazhet e këtij takimi ishin TRE:JO korrupsionit në gjyqësor;JO kapjes së gjyqësorit; PO reformës tërësore dhe gjithëpërfshirëse në gjyqësor. Askush, nuk mund ta shpërdorojë këtë nevojë të shoqërisë shqiptare dhe ta fusë në procese vicioze dhe të fragmentuara, jo gjithëpërfshirëse dhe në frymën e Bashkimit Evropian. Mesazhi im ka qenë i qartë se nuk mund të avancohet reforma me debate të personalizuara dhe pa alternativë, pa agjendë punë dhe pa prioritizim të çështjeve” tha Nishani.Më tej në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Ambasadën e Shqipërisë në Londër, Kreu i Shtetit vlerësoi me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Fort të Nderuarin, Lordin Alan Watson të Richmond CBE; Fort të Nderuarin, Lordin Michael Bates; Sër Noel Malcolm. Me Dekoratën “Nderi i Kombit” zotin Alexander Duma dhe Dekoratën “Nënë Tereza” zotit David Lloyd. Gjithashtu Presidenti Nishani i akordoi Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” zotit Stephen Nash.