Protesta në Hungari, mijëra vetë në rrugë kundër korrupsionit

Mijëra hungarezë dolën të enjten në protesta për të shprehur zemërimin ndaj dyshimeve për korrupsion në tatime dhe për të kërkuar më tepër reforma demokratike.Ata pretendojnë shkarkimin e Drejtores së Tatimeve, Ildiko Vida, e cila pranoi para pak kohësh se ishte në listën e zyrtarëve të lartë hungarezë të cilëve Shtetet e Bashkuara u kishin hequr të drejtën e vizës. Megjithatë ajo i mohon akuzat.Turma marshoi nga ura historike mbi Danub deri në zyrat e Presidencës, duke shfaqur parrulla kundër Vidas dhe kryeministrit Viktor Orban.Organizatori i protestës dhe ish-deputeti i opozitës, Gabor Vago, akuzoi qeverinë për përvetësim të pasurive shtetërore e private, për korrupsion dhe favorizim të monopoleve.Protestuesit u shprehën mjaft të acaruar për akuzat për korrupsion në zyrën e taksave dhe gjithashtu për sjelljen e përgjithshme të politikanëve të tyre.Përveç njerëzve të thjeshtë, në protestë kishte edhe shumë sipërmarrës të biznesve të vogla dhe të mesme, të cilët kanë hasur vështirësi të mëdha në vitet e fundit. Ata janë të shqetësuar pasi pavarësisht se i paguajnë taksat, nuk janë të sigurt se ku përfundojnë paratë e tyre.Viktor Orban ka befasuar së fundmi partnerët perëndimorë të Hungarisë për politikat fiskale që kanë penalizuar bizneset e mëdha, si dhe për kufizimin e lirive demokratike, ndërkohë që kritikët thonë se vendi po drejtohet gjithnjë e më pranë orbitës së Kremlinit.