Gjozaj: Nëse konfirmohet, Begaj sëbashku me trajnerin do përjashtohen nga sporti

Tiranë- Lajmi për njollosjen e titullit kampion të Romela Begaj me dopingun tronditi të gjithë opinionin publik shqiptar.Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes njoftoi në portalin e saj zyrtar se nga rezultatet e analizave të peshëngritëses Romela Begaj, është dalluar një dozë e lartë e substancës stanozolol, duke e kthyer ngazëllimin e titullit kampion në një zhgënjim gjithëpërfshirës.Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes foli në një lidhje telefonike për Ora News, duke e analizuar këtë moment delikat dhe duke vlerësuar se përgjegjësia është personale e peshëngritëses.“Ne e kemi vlerësuar këtë informacion, është informacion zyrtar nga Federata Botërore dhe në garën e fundit të kontrollit ku bëhet testi i fundit përfundimtar para përfaqësimit të kampionatit botëror, Romela ka dalë negative si gjithë sportistët e tjerë. Në këtë moment Federata mori nismën që kushdo sportist që do përfaqësonte ekipin shqiptar në Kazakistan do të firmoste një kontratë dhe mban përgjegjësi personale në rast se ndodh diçka gjatë zhvillimit të kampionatit botëror”.Gjozaj konfirmoi se Begaj i ka kërkuar Federatës Ndërkombëtare kryerjen sa më shpejt të analizave të dyta.“Romela Begaj na ka ardhur në zyrat e Federatës, me këmbënguljen e saj ka kërkuar që unë jam testuar, jam kontrolluar dhe jam e sigurt që nuk kam përdorur gjë. Dhe kërkoj ligjërisht testin B që i takon, është test më i specializuar dhe ne do të shprehemi pas marrjes së përgjigjes së testit B”.Në fund Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes theksoi se nëse analizat B rezultojnë pozitive,atëherë Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të marrë masën e përjashtimit përgjithmonë të Romela Begaj nga sporti i peshëngritjes.“Mund ti falet gjithkujt sportisti një test antidoping pozitiv, Romela Begajt nuk i falet në mënyrë kategorike. Masa e Federatës botërore është 2 vjet përjashtim nga aktivitetet sportive. Nëse ngel ajo që është konfirmuar në testin e parë ajo përjashtohet bashkë me trajnerin e saj përgjithmonë nga sporti”.