Ceremoni për përvjetorin e parë të Mandelës, kurora me lule te statuja
1 vit pas ndarjes nga jeta të ish-Presidentit afrikano-jugor, Nelson Mandela, zyrtarë dhe pjesëtarë të familjes u mblodhën në Pretoria për të kujtuar njeriun e tyre të dashur.Ceremonia u drejtua nga e veja e Mandelës, Garsa Mahel.Të pranishmit vendosën kurora pranë statujës së Presidentit të parë me ngjyrë në historinë e Afrikës së Jugut."Madiba i kaloi vitet e fundit të jetës në ngrohtësinë familjare. Jam krenare që ishte me mua dhe mund të shijonte një jetë të tillë të thjeshtë", tha Mahel.Miku i vjetër i Mandelës, Ipeshkvi Desmond Tutu, gjithashtu ishte i pranishëm në ceremoninë përkujtimore."Falenderojmë Zotin që e kishim mes nesh dhe për shembullin që na dha. Ai na mësoi për vlerat e qenieve njerëzore", u shpreh ai.Ceremonitë për përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të Mandelës nisën që një ditë më parë në Johanesburg, në fondacionin që mban emrin e tij.Në godinën e fondacionit, e cila ka shërbyer edhe si zyra e tij gjatë kohës që mbante detyrën e Presidentit, ishte mbushur me qindra letra ngushëllimi të mbërritura nga e gjithë bota një vit më parë, gjatë ceremonisë funerale të mbajtur për të.Qeveria afrikano-jugore u bëri thirrje qytetarëve të mbanin tre minuta heshtje të premten në mëngjes për të nderuar ish-Presidentin e ndjerë, që do të mbetet gjithmonë në histori si nejriu që ndryshoi një herë e përgjithmonë fytyrën e Afrikës së Jugut.