Kurdët fitojnë territor ndaj Shtetit Islamik, luftime në Kurdistan

Forcat kurde në Irak kanë rimarrë së fundmi kontrollin e disa zonave të mbajtura deri më tani nga militantët e Shtetit Islamik dhe po vazhdojnë të luftojnë me ta në Kurdistan.Në Mahmur, në jug të kryeqytetit Erbil, tani marshojnë trupat ushtarake kurde, por nga pamjet kuptohet se aty janë zhvilluar beteja të ashpra teksa kurdët kanë arritur të çlirojnë fshat pas fshati zonën përreth Mahmurit, duke u sekuestruar ekstremistëve mjetet ushtarake, armatime dhe lëndë narkotike.Fshati i fundit i mbajtur ende nga militantët e ISIS është pesë kilometra larg dhe forcat kurde raportojnë se mund t'u nevojiten disa ditë për ta çliruar edhe atë.Por në fshatrat e braktisur nga ekstremistët ka vetëm kufoma, ndërsa në fushat bujqësore valviten flamuj të kuq, që tregojnë se ato janë mbushur me mina.Në fushëbetejën tjetër të ashpër mes kurdëve dhe terroristëve të ISIS, që po ndodh në qytetin sirian në Kobani, në aksion është futur edhe brigada e femrave të ushtrisë kurde.Luftimet në Kobani vazhdojnë prej disa javësh tashmë dhe qyteti është bërë simbol i rezistencës kurde ndaj militantëve të Shtetit Islamik.Një ditë më parë, në Bagdad dhe qytetin verior Kirkuk, nga katër shpërthime të ndryshme mbetën të vrarë në total 35 persona.Në lagjen Shiite të kryeqytetit, nga shpërthimi i dy makinave mbetën të vrarë 15 persona ndërsa 51 të tjerë u plagosën.Ndërsa në Kirkuk humbën jetën 15 persona të tjerë dhe 20 mbetën të plagosur. Sulme të tilla në Bagdad janë të shpeshta, por zakonisht ndodhin në lagje periferike, larg qendrës ku ndodhet parlamenti, Ambasada amerikane dhe ku kanë banesat e tyre mjaft politikanë vendas.