Çela hedh poshtë akuzat e PD-së: Jam i pastër me vendim Prokurorie

Drejtori i Përgjithshëm i OSHEE-së, Adrian Çela, hodhi poshtë sot akuzat e një dite më parë nga Partia Demokratike se është në ndjekje për korrupsion për kohën kur punonte në Bashkinë e Durrësit.Në një prononcim për mediat Çela tha se akuzat e selisë blu janë të pavërteta, ndërsa shtoi se nuk është nën hetim dhe për të faktuar këtë ka vendimin e Prokurorisë Durrës.“Kam objektiv të çoj përpara këtë kompani që synon të rrisë shpenzimet e qeverisë. Sa i përket akuzave unë jam i qetë dhe i ftohtë pasi akuza të tilla politike vijnë herë pas here. Për akuzën konkrete jam i pastër ku kam deklaratën e prokurorisë Durrës” tha ai duke shtuar se së shpejti do të shpërndajë për mediat vendimin në fjalë.Duke folur për pagesën e faturave të prapambetura nga konsumatorët, Çela deklaroi se ka një fluks të jashtëzakonshëm.Ai tha se zyrat e operatorit do të rrinë hapur deri në orën 22:00 çdo ditë pa pushim në shërbim të qytetarëve që po paguajnë faturat e pashlyera të energjisë elektrike.“Fluksi është rritur pasi konsumatorët familjarë që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike dhe që bien dakord të shlyejnë menjëherë gjithë detyrimin e prapambetur (principal +kamatë vonesë), OSHEE po aplikon një zbritje të vlerës së detyrimit të kamatë vonesave në 80%.Gjithashtu, duke marrë në konsideratë nivelin e të ardhurave mesatare të familjeve dhe gjendjen e tyre sociale, Këshilli mbikqyrës i OSHEE-së ka vendosur që nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, nuk do të llogariten më kamat-vonesat për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit”.