Aksidenti në uzinën bërthamore të Ukrainës detyron mbylljen e reaktorit
Kryeministri ukrainas, Arseni Jatseniuk, njoftoi të mërkurën se në stacionin bërthamor Zaporizhje në juglindje të Ukrainës kishte ndodhur një aksident çka kishte detyruar stafin të ndërpriste punën.Ai është stacioni më i madh bërthamor në Europë dhe i pesti në botë. Kryeministri i kërkoi Ministrit të Energjitikës që të jepte shpjegime për afatin e rifillimit të aktivitetit atje dhe gjetjen e shkakut të incidentit."Kam marrë vesh që ka ndodhur një aksident në stacionin bërthamor në Zaporizhje. Dua të di kur do të rregullohet problemi dhe çfarë masash do të merren për të rifilluar furnizimin normal me energji në vend", tha Kryeministri në mbledhjen e qeverisë.Sipas agjencisë ukrainase të lajmeve “Interfax” problemi kishte ndodhur në një prej reaktorëve më të mëdhenj të stacionit, duke thelluar kështu krizën e furnizimit me energji për Ukrainën.Sipas agjencisë, puna pritet të rifillojë më 5 dhjetor. Datën e konfirmoi edhe Ministri i Energjitikës, Volodimir Demshishin, i cili shtoi edhe se nuk kishte dëme në njerëz apo materiale dhe as rrezik për shpërndarjen e rrezatimeve bërthamore.Por pavarësisht se nuk përbën rrezik bërthamor, ndërprerja e punës atje pritet t'i shkaktojë edhe më shumë probleme ekonomike Ukrainës, pasi gjysma e energjisë në vend prodhohet në stacionet bërthamore.Stacioni ndodhet në juglindje të Ukrainës, fare pranë zonave që janë përfshirë në konfliktin mes qeverisë dhe separatistëve prorusë në muajt e fundit. Në maj të këtij viti, rreth 40 persona të armatosur u përpoqën të merrnin kontrollin e tij, por u ndaluan nga policia ukrainase.Në Vjenë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore nuk dha komente për incidentin, edhe pse sipas një marrëveshje të nënshkruar me Ukrainën që pas shpërthimit në Stacionin e Çernobilit në vitin 1986, vendi është i detyruar të njoftojë për çdo incident që mund të dëmtojë edhe vendet fqinje.