Rama thirrje sipërmarrësve: Investoni në bujqësi, mos i bëni lekët llaç e tulla

Kryeministri, Edi Rama, deklaroi sot se qeveria do të mbështesë përmes skemave të subvencionimit në bujqësi të gjithë ata sipërmarrës që investojnë për rritjen e eksporteve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.Gjatë vizitës në një sipërmarrje private në Prezë sëbashku me Ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti, Kreu i qeverisë tha se ka marrë fund koha e lëmoshës elektorale në bujqësi.“Është shumë e rëndësishme që të gjithë të vetëdijësohen se ne jemi në dispozicion të atyre që duan të marrin pjesë në betejën e madhe për të kaluar nga mesjeta në kapitalizimin në fshat. Kapitalizimi në kuptimin e marrëdhënieve totalisht të reja të prodhimit dhe me shtetin. Financojmë shumë më fort skemat që sjellin sukses, fitim, punësim dhe eksport. Nuk kemi më punë me shpërndarjen e parave lart e poshtë që treten në lumin e madh të mbijetesës”tha ai.Panariti e vlerësoi investimin një sinjal të mirë në fushën e blegtorisë, që bën lidhjen e prodhimit me tregun.“Ky investim është një sinjal i mirë në këtë drejtim pasi bën lidhjen e prodhimit blegtoral me tregun. Janë këto pika të mëdha të grumbullimit, përpunimit, paketimit dhe ambalazhimit që japin vlerë të shtuar dhe garantojnë respektimin e standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë”.Kryeministri Rama ftoi të gjithë sipërmarrësit të kthejnë sytë nga bujqësia, të investojnë për zhvillimin e vendit dhe të mos i bëjnë lekët llaç e tulla.Skemat e subvencionimit nga AZHBR mbështesin çdo sipërmarrës në bujqësi apo blegtori më 50% të financimit për çdo investim të ri në këtë sektor.