Snouden fiton çmimin suedez të të drejtave të njeriut: Do të ribëja gjithçka!

Pasi iu dha të hënën çmimi për Jetesën e Drejtë, ish-spiuni i qeverisë amerikane, Eduard Snouden, pranoi se do të ribënte gjithçka që ka bërë deri më tani.Fondacioni për Jetesën e Drejtë bëri të ditur se Snouden e fitoi çmimin për shkak të guximit dhe aftësive të treguara në zbardhjen e mbikqyrjes që iu bëhej qytetarëve nga qeveria amerikane, në shkelje të të drejtave të tyre kushtetuese.Snouden momentalisht ndodhet në Rusi dhe përshëndeti audiencën e mbledhur në parlamentin suedez, përmes një videokonference."Po jetoj në mërgim prej një viti e gjysmë tani, dhe nuk duket se gjërat do ndryshojnë. Megjithatë ia ka vlejtur. Pavarësisht gjithë sakrificave që kam bërë, besoj se sërish do ta ribëja atë veprim. Dhe e di këtë, sepse nuk e bëra për vete… kjo ka të bëjë me ne, me të drejtat tona, llojin e shoqërisë në të cilën duam të jetojmë dhe llojin e qeverisë që duam të kemi".Snouden vazhdon të jetë i shpallur në kërkim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bërjen publike të sekreteve shtetërore të programeve elektronike të përgjimit.Ai ka gjetur strehim në Rusi, ku ka marrë një leje qëndrimi trevjeçare. Çmimin e ndau me Alan Rasbrixhër, kryeredaktorin e gazetës britanike "The Guardian", me të cilin bashkëpunoi për të botuar sekretet e Agjencisë Kombëtare Amerikane të Sigurisë.