Veliaj: Duke paguar energjinë ndihmojmë ekonominë dhe rrisim investimet

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, iu bashkua sot aksionit të OSHEE-së kundër vjedhjes së energjisë elektrike, por kësaj here u takua me qytetarë dhe biznese të rregullt në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, për t’i falenderuar e shtrënguar dorën atyre që paguajnë faturat e energjisë elektrike.Pas disa aksioneve radhazi në mbështetje të OSHEE-së për prerjen e lidhjeve të paligjshme, sot ishte një ditë falenderimi për të gjithë qytetarët e ndershëm, të cilët duke paguar energjinë elektrike ndihmojnë ekonominë e vendit.“Sot patëm një mundësi për t’i shtrënguar dorën dhe për t’u thënë faleminderit qytetarëve që e paguajnë energjinë elektrike. Këto kohë jemi marrë shumë me ata që abuzojnë, por në fakt njerëzit më të rëndësishëm nuk janë ata që abuzojnë, por njerëzit e ndershëm, që paguajnë taksat, sigurimet shoqërore dhe energjinë elektrike”, deklaroi z. Veliaj.Sipas tij, gjatë këtij viti ekonomia gjeneroi 81.352 vende të zbardhura ose të reja pune, por me paratë e rikuperuara nga shmangia e abuzimeve me energjinë elektrike, ka mundësi për më shumë investime, të cilat më pas prodhojnë punësim.“Ashtu siç doli edhe sot nga vizita e shkurtër në përkrahje të aksionit të OSHEE-së për pagesat e energjisë elektrike, qytetarët e ndershëm nuk mungojnë, madje janë në shumicë. Një qytetar i ndershëm e kupton se duke paguar energjinë elektrike ndihmon ekonominë, buxhetin e shtetit dhe hapjen e vendeve të punës".Ministri Veliaj falenderoi në emër të qeverisë shqiptare, të gjithë qytetarët e rregullt me pagesat e energjisë dhe u shpreh se aksionet e suksesshme të OSHEE-së kanë disiplinuar situatën."Duke qenë i ndershëm ndihmojmë ekonominë, vendin dhe jemi krenarë që jetojmë në një vend ku shpërblehen ata që janë të ndershëm dhe që paguajnë detyrimet e tyre dhe jo të fortët që i kanë bërë bisht ligjit deri më sot”, tha ai.