Reforma në drejtësi, Kuvendi voton ngritjen e komisionit të posaçëm
Mazhoranca hedh një tjetër hap para, pavarësisht distancës që mban opozita, për reformën në drejtësi.Me 84 vota pro dhe 4 kundër, Kuvendi ka miratuar sot projektvendim “Për krijimin e komisionit të posaçëm “Për reformën në sistemin e drejtësisë”.Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Fatmir Xhafaj, u shpreh se reforma e sistemit të drejtësisë nuk është një hap i vonuar, por një hap i madh që po ndërmerret tani.“Me vendimin e sotëm për të ngritur Komisionin për Reformën e Drejtësisë hedhim hapin e parë për përmirësimin e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi. Mund të konsiderohet si një hap i vonuar, por unë jam i bindur se është hap i madh që ne po ndërmarrim. Nëse reforma kushtetuese e 2008-s pati ndikim te sistemi i drejtësisë, kjo tregoi se shpejtësia në konsensus nuk garantoi sukses të reformave”, theksoi Xhafaj.Komisioni do të funksionojë për një periudhë 6-mujore dhe me mundësi shtyrjeje sipas Rregullores së Kuvendit.Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të jetë forumi ku të gjitha grupet parlamentare që do të jenë pjesë, do të hartojnë një paketë ndryshimesh të kuadrit normativ në fushën e drejtësisë.Komisioni i Posaçëm në veprimtarinë e tij do të mbështetet në mënyrë thelbësore në ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare.Ndërkaq projektvendimi “Për ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr.166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar siguroi 88 vota pro.Seanca mbylli punimet rreth orës 13:26 minuta.