Konferencë për 70-vjetorin e çlirimit, Nikolla: Të rishkruhet historia

Në 70 vjetorin e çlirimit të vendit Akademia e Shkencave dhe Ministria e Arsimit organizuan konferencën shkencore në të cilën ministrja Lindita Nikolla kërkoi që të rishkruhet historia.Për Ministren e Arsimit ky është një proçes, i cili duhet bërë nga historianë dhe politika nuk duhet të ndërhyjë.“Ne jemi të angazhuar e po nxisim rishkruarjen e teksteve të historisë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Qëllimi ynë është që t’u japim nxënësve dhe mësuesve tekste me nivel të përshtatshëm shkencor e objektiv për mësimin e historisë sipas moshës, me standarde evropiane.Do të synohet që këto tekste të zhvishen nga interpretimet e njëanshme, nga influencat e politikës, nga fryma e konfrontimit dhe e urrejtjes për popujt e tjerë e veçanërisht për fqinjët”.Ministrja Nikolla në këtë konferencë bëri thirrje që të gjithë të bashkohen pa ngjyrime politike e të nderojnë ata që luftuan për çlirimin e vendit të tyre.“Historia ka ndodhur vetëm një herë dhe është detyrë e historianëve që duke shkruar të vërtetat e saj objektive të përcjellin mesazhe për të mësuar prej tyre, mesazhe mirëkuptimi, bashkëpunimi e bashkëjetese për brezat e rinj që të mos mbeten tek e shkuara, por të shikojnë e të ndërtojnë së bashku të ardhmen e tyre”.Pjesëmarrës në konferencën e 70-vjetorit ishin historianë të shumtë, të cilët në fjalën e tyre vunë theksin tek lufta heroike Nacional Çlirimare e shqiptarëve.