Arrestimi i DAR Lushnje, Rama: Maja e ajsbergut, do ta thërrmojmë

Historia e Drejtoreshës Arsimore të Lushnjes e cila merrte para në këmbim të një emërimi në shkollë është vetëm maja e ajsbergut.Kryeministri, Edi Rama, premtoi se do të merren të gjitha masat që një fenomen i tillë të shkatërrohet.“Jam shumë i shqetësuar për faktin që edhe pse ka ndryshime rrënjësore, të ndjeshme, vazhdon të ketë shprehje të përgjithshme shqetësimi nga veriu në jug për mitmarrje në sistemin e arsimor.Ne jemi të bindur që ngjarja e rëndë e zyrës arsimore të Lushnjes nuk është një aksident i veçuar por është maja e një ajsbergu që ne do ta bëjmë copë-copë pa kursyer askënd, por duke filluar nga ky ndryshim rrënjësor që do të kurorëzohet në muajin dhjetor në një fazë të parë dhe pastaj do të kthehet në sistem duke filluar nga viti tjetër”.Për të shmangur këtë problem kreu i Qeverisë bëri me dije se së shpejti asnjë drejtor nuk do të ketë kopetencë për të bërë emërime mësuesish në shkolla.“Asnjë drejtor drejtorie rajonale dhe asnjë drejtor zyre arsimore nuk do të ketë më në dorë të bëjë emërime apo çemërime mësuesish. Asnjë drejtor drejtorie rajonale dhe asnjë drejtor zyre arsimore nuk do të ketë më në dorë fatin e asnjë njeriu që shkon troket në zyrat e arsimit për të ofruar dijet e tij dhe që i përplaset dera në fytyrë apo lihet në rrugë se i duhet hapur rruga dikujt tjetër që e gjen rrugën me para apo mbështetje të çfarëdoshme për t’ia kaluar këtij tjetrit. Kjo është e patolerueshme dhe me këtë ne do të ndahemi jo pas një vit po pas një muaji. Rrugën e konkurencës së ndershme do ta përcaktojë metoda e re”.Ndërkohë për të pasur Drejtorë më profesionalë kryeministri Edi Rama deklaroi se vitin tjetër në Shqipëri do të hapet një shkollë për Drejtorë të Arsimit.Rama theksoi se qeveria që ai drejton synon të vendosë këtë sistem në binarët e duhur, dhe sipas standardeve evropiane.“Jemi të vetëdijshëm që proçesi i modernizimit është përgjigjia reale dhe e qëndruseshme ndaj korrupsionit, klientelizmit, favoreve me natyrë poltike apo klanore që bëjnë të bjerë poshtë cdo program, plan, apo përpjekje sado vullnet mirë. Prandaj beteja jonë do zhvillohet paralelisht. Nuk do kursejmë asgjë dhe askënd. Nuk do kursejmë pushtetin tonë siç e kanë kursyer të tjerë para nesh.Që për të qëndruar në pushtet kanë preferuar ti shtynë përballjet me sëmundjet dhe plagët e vendit duke i lejuar të zotërojnë të gjithë organizmin e vendit, por do ta konsumojmë pushtetin në funksion të kësaj përpjekje. Nuk do kursejmë askënd që do të na dalë përpara, duke u bërë pengesë e kësaj përpjekje të madhe kombëtare dhe duke abuzuar me detyrën”.Deklaratat e Kryeministrit erdhën gjatë një aktiviteti të organizuar nga Ministria e Arsimit në qendrën e Kulturës, pranë Kishës Ortodokse, për vlerësimin e shkollave më të mira publike e private sipas raportit të Maturës Shtetërore, ku “Ismali Qemali” mori vendin e parë, në vend të dytë “Sami Frashëri” dhe në të tretin “28 Nëntori”.