Basha në Bruksel merr përkrahje nga PPE për aksionin opozitar
Pak ditë para protestës së 22 nëntorit dhe kur vijon të jetë në fuqi vendimi për qëndrimin jashtë parlamentit, kryetari i PD, Lulzim Basha kërkon mbështetje nga PPE.Nga Brukseli ku është pjesë e punimeve të Asamblese Parlamentare të PPE, kryetari Lulzim Basha tha se ka gjetur përkrahjen e plotë të aksionit opozitar.“Problemet e tyre, shqetësimet e tyre, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me situatën e rënduar ekonomike në vend, me rritjen e çmimit të energjisë dhe taksave për vitin e ardhshëm, me dhunën dhe paligjshmërinë qeveritare me pronën dhe jetën e qytetarëve, me instalimin në vend të një shteti policor i cili vepron kundër rregullave të shtetit ligjor, pra të ligjeve dhe kushtetutës së vendit. Këto janë shqetësime që i marrim drejtpërdrejtë nga qytetarët shqiptarë me raste konkrete të evidentuar me fakte të pakundërshtueshme. Këto janë edhe shqetësimet që po paraqesim këtu në Bruksel pranë institucioneve evropiane, pranë partive si motra, ku po gjejmë jo vetëm interesimin e tyre, jo vetëm shqetësimin e thellë për situatën në Shqipëri, por edhe përkrahjen e plotë për reaksionin opozitar”, tha Basha.I pyetur se nëse opozita do të kthehet në Kuvend pas apelit të Komisionit Europian , Basha e la këtë pyetje pa përgjigje duke e lënë këtë si çështje të hapur.“Mazhoranca po bën gjithçka për ta shmangur përgjegjësinë dhe për të mos trajtuar thelbin e problemit. Problemi është që kjo shumicë nuk dëgjon. Arsyeja kryesore se pse vendi është zhytur në këtë situatë ekonomike, në këtë situatë politike, është sepse qeveria shpërfill zërin e qytetarëve, shpërfill zërin e opozitës, shpërfill institucionet dhe mundohet t’i kapë ato t’i vërë nën zotërimin e saj të paligjshëm. Ky është një shqetësim i jashtëzakonshëm për ne. Eshtë një shqetësim i madh edhe për Bashkimin Evropian edhe për partnerët tanë dhe për të gjithë bashkëbiseduesit që unë kam takuar dhe vazhdoj të takoj këtu në Bruksel.”Mbështetja e PPE për aksionin opozitar merret ndërkohë që opozita ka thirrur të shtunë një protestë ku ka vetëm kërkesa ekonomike.