Ekzekutimet e ISIS, SHBA ndryshon politikën e negociatave me terroristët
Qeveria amerikane po mendon të ndryshojë politikën e saj në lidhje me rastet e pengmerrjes së shtetasve amerikanë.Sipas asaj që raporton rrjeti CNN, presidenti Obama ka urdhëruar që të rishikohet politika e Shteteve të Bashkuara për pengjet amerikanë të mbajtur në vende të tjera, ku mendohet të ketë kërkuar specifikisht që të analizohet përfshirja e familjarëve, si dhe mënyra e mbledhjes së informacionit dhe angazhimi i diplomatëve amerikanë.Vendimi i Obamës është bërë i ditur nëpërmjet një letërkëmbimi mes disa senatorëve amerikanë me zyrtarë të Pentagonit.Duket se ekzekutimi më i fundit nga Shteti Islamik i amerikanit Piter Kasig ka sjellë edhe reagimin e Obamës.Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë një politikë shumë strikte në lidhje me negociatat me terroristët, por shtimi i rasteve të amerikanëve të marrë peng, sidomos në Lindjen e Mesme, ka bërë që Obama të kërkojë reagim më të fortë në këto raste.Përveç Kasigut, ISIS ka publikuar pamje edhe nga ekzekutimi i dy amerikanëve të tjerë, Xhejms Folei dhe Stiven Sotlof, të dy gazetarë.Edhe pse SHBA ka bërë të ditur se është përpjekur të shpëtojë të paktën Folein nëpërmjet një operacioni të fshehtë ushtarak, kritikat në drejtim të administratës kanë qenë të mëdha për indiferencën e treguar në këto raste, sidomos duke e krahasuar me qeveritë europiane, që në disa raste kanë arritur të negociojnë dhe të shpëtojnë pengjet e tyre duke paguar dëmshpërblimin e kërkuar.Por reagimi i qeverisë amerikane ka qenë kritik ndaj Europës, me justifikimin se paratë e paguara kanë ndihmuar në rritjen e ISIS.