"Do të ndiheni si rockstar", kështu i josh Japonia të rinjtë për në ushtri

Ushtria japoneze ka gjetur një mënyrë mjaft origjinale për të tërhequr të rinjtë në radhët e saj. Në një seri albumesh fotografike dhe videoregjistrimesh, ushtarët paraqiten si yje të rrokut, por edhe si modelë që marrin poza.Një serial televiziv në vend, i quajtur "Mbrojtja Kombëtare - Meshkuj e Femra", u jep të rinjve japonezë një ide se si është jeta e përditëshme e 60 meshkujve dhe femrave që janë regjistruar në ushtri, duke treguar një anë që nuk shfaqet në shumicën e revistave të ushtrisë. Ushtarët udhëzohen që të pozojnë si yje të muzikës apo modele, shpesh duke hequr edhe uniformat.Nisma është ndërmarrë për të joshur të rinjtë t'i bashkohen ushtrisë japoneze, e cila për shkak të plakjes së shoqërisë po has vështirësi për të mbajtur forcën e vet të armatosur në 225 000 vetë.Sipas përgjegjësit për marrëdhëniet me publikun në ushtrinë japoneze, Jasushi Kixhima, edhe ushtarët duhet të tregojnë ndonjë herë anën e tyre të butë, në mënyrë që të frymëzojnë të rinjtë që t'i bashkohen forcave të armatosura. Seriali televiziv është bërë pikërisht për t'i kujtuar të rinjve se ekziston edhe ushtria si alternativë.Sipas marrëveshjeve të paqes të firmosura pas Luftës II Botërore, Japonisë nuk i lejohet të ketë teknikisht ushtri, por forcat e saj të armatosura quhen Forcat e Vetëmbrojtjes. Dhe deri në korrikun e këtij viti, kur pengesa historike u hoq nga kryeministri Shinzo Abe, ushtarët japonezë nuk mund të luftonin jashtë vendit.