Institucionet Kushtetuese kërkojnë para për të punësuar njerëz të rinj
Institucionet Kushtetuese dhe ato të pavaruara, krahas shpenzimeve operative për vitin 2015 kërkojnë para, nga buxheti i shtetit për të punësuar njerëz të rinj.Ndonëse u treguan bujarë, këto kërkesa nuk kanë kaluar pa habi ndërmjet deputetëve socialistë në Komisionin e Ligjeve.Kryetari i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), Shkëlqim Ganaj , tha se për projektbuxhetin e viti 2015-të, parashikohen fonde shtesë për investimet. Kjo sipas tij lidhet me ngarkesën e madhe, ku mes të tjerash janë katërfishuar kontrollet.Kryeinspektori Ganaj kërkoi shtesë për shpenzimet korrente, ndërsa parashtroi nevojën për ndihmës inspektorë, si dhe për rinovimin e serverave. Anëtarët e Komisionit u shprehën në mbështetje të kërkesave të tij, duke u nisur nga rëndësia që ka ky institucion në luftën kundër korrupsionit.Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shprehën dakord në parim me fondet e parashikuara për funksionimin e këtij institucioni për vitin 2015-të.Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale, Besnik Dervishi, kërkoi një shtesë në burimet njerëzore me 4 persona dhe me 4 milionë lekë, ndërsa deklaroi se organigrama e re e këtij institucioni është gati.Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi, Irma Baraku, kërkoi një punonjëse më shumë nga numri i punonjësve të parashikuar në projektbuxhet.Por kërkesat në rritje të institucioneve për shtimin e burimeve njerëzore, mund të sjellin dhe rishikim të organikës.Punësimi me kohë të pjesshme mund të jetë një zgjidhje për lehtësimin e barrës në buxhet.Parlamenti do te miratojë të hënën në parim, projektbuxhetin për vitin 2015.