Mustafa tradhëton Bllokun, marrëveshje me Thaçin për qeverinë?

Kosovë- Ka mjaftuar një vizitë në Bruksel, që ngjarjet politike në Kosovë të marrin një kthesë sa të pamenduar, aq edhe të rëndësishme.Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, burime të sigurta ndërkombëtare kanë konfirmuar se qeveria e re e Kosovës do të formohet nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.Madje sipas informacioneve që vijnë nga Kosova, Mustafa ka menduar edhe që të largohet "pa sherr" nga Blloku.Ai do të kërkojë që sot pasdite, gjatë takimit me liderët e tjerë të partive që duan të formojnë qeverinë, që të rishikohet marrëveshja në dy pika: të largohet Vetëvendosja dhe LDK të ketë postin e Kryeministrit të vendit.Sigurisht që këto kërkesa nuk do të aprovohen, sidomos ajo për ndryshimin e kandidatit për Kryeministër. Vetë Ramush Haradinaj në fakt, ka konfirmuar vetëm para pak orësh se nuk ndryshon qëndrim."Nuk kam hequr dorë nga kandidatura dhe ata që duan ta pengojnë këtë kandidaturë do të dalin humbës. Unë kam disa mospajtime me ndërkombëtarët. Mospajtimet me ta janë vetëm se si të përbëhet Qeveria", ka deklaruar Haradinaj gjatë një takimi me qytetarët e Deçanit.Por në takimin që pritet të mbahet sonte, Mustafa duket se do t'ua komunojë Haradinajt dhe të tjerëve idenë e tij.Mustafa dhe Thaçi ishin të enjten në Bruksel në konferencën e Partive Parlamentare Europiane dhe mendohet se janë takuar aty për të arritur këtë marrëveshje.Ndërkohë, të dy liderët janë takuar edhe me Presidenten Jahjaga ditën e sotme. Kryeministri në detyrë ishte në zyrën e Presidentes gjatë paradites, ndërsa Mustafa në orët e drekës.Ndërkohë që vetë Presidentja, ka konfirmuar përmes një deklarate në Facebook, se ka komunikuar në telefon edhe me Haradinajn dhe të treve u ka kërkuar që të tregojnë pjekuri politike për daljen nga kriza.