Masakra në Tiranë, Marku: Për çfarë krenarie folët ju zoti kryeministër
Për analistin Mark Marku, masakra ku u vranë 4 persona, ku i dyshuari kryesor është djali i deputetes Luiza Xhuvani, e ka një parahistori. Ai deklaroi se dalja e Xhuvanit dhe e Ramës ishte një marketing politik.Në një intervistë për Ora News, analisti Marku tha se fajtorët nuk janë vetëm ekzekutorët, por është edhe sistem, i cili nuk e ka dënuar një person i cili akuzohet për vrasje."Ky krim ka një parahistori dhe sikur të mos ekzistonte kjo parahistori, ose sikur i akuzuari për vrasjen e 4 personave, të ishte ndjekur dhe t’i ishtë nënshtruar ligjit, sot do ishte i dënuar dhe nuk do kishte 4 viktima të tjerë. Pra autorët e kësaj vrasje nuk kanë qenë vetëm ekzekutuesit që kanë qenë aty, por unë mendoj që ka qenë edhe sistemi që ka lënë të lirë njërin që ka qenë i akuzuar me parë për një vrasje. Në këtë kuptim, nëse ne duam që të vendosim drejtësi dhe nëse duam që ne të ndihmojmë në vendosjen e rendit, duhet ti kërkojmë fajtorët aty ku janë. Pra te fakti pse lihen të lirë njerëz që kryejnë një vrasje. Pse dënohen 3 vjet burg dhe bëjnë vetëm 2 vjet”, tha Marku.Analisti Mark Marko komentoi edhe dorëheqjen e deputetes Luiza Xhuvani, duke e konsideruar si propagandistike. Ndërsa qëndrimin e Ramës, Marku e konsideron si të zhbalancuar në drejtim të prindrit të fëmijës që shkaktoi vrasjen, duke shprehur krenari dhe solidaritet.“Qëndrimi i Ramës nga pikëpamja etike ishte i zhbalancuar në drejtim të prindit, të fëmijës që i ka shkaktuar viktimat, sepse shprehu solidaritetin, shprehu krenari dhe nuk e kuptoj për çfarë krenarie duhet të bëhej fjalë aty. Vetëm për krenari nuk bëhet fjalë, asnjë prind nuk ndihet krenar që fëmija i tij vret njerëz. Asnjë kryeministër nuk mund të ndihet krenar që fëmija i një deputeti që ka bërë një krim, lirohet vetëm me dy vjet burg. Në këtë kuptim unë e shikoj të zhbalancuar prononcimin publik të kryeministrit Rama, sepse unë prisja që ai të ishte më reflektiv, më solidar me dhimbjen e viktimave dhe opinionit publik. Ishte nje shfaqje publike, në një ngjarje të tillë nuk ka më vend për spektakël.Kishte një përdorim propagandistik të një akti normal dorëheqje. Ajo edhe mund të mos e jepte dorëheqjen. Nuk është problemi nëse Luiza Xhuvani është deputete apo djali i një deputeti akuzohet për vrasje, problemi është tek sistemi i drejtësisë, pra mund të vazhdonte të ishte deputete dhe të mos e pengonte sistemin e drejtësisë për ta ndjekur djalin e vet. Mund ta jepte dorëheqjen për një farë ndjeshmërie publike, por nuk kishte pse të bënte marketing politik qoftë Rama, qoftë Luiza Xhuvani”