Receta e Arvizu: Ja 6 rekomandimet për një reformë të suksesshme në drejtësi
Tiranë- Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka shfrytëzuar tryezën e dytë për reformën në drejtësi që të lëshojë një recetë me 6 pika për politikën shqiptare.Diplomati i lartë u shpreh se duhet të jetë e matur dhe gjithpërfshirëse, pa përjashtuar asnjë aktor."Dëshiroj t’ju lë një recetë e cila është e nevojshme për të pasur një reformë të suksesshme.Së pari:1- Merrni hapa të matur, reforma gjyqësore është maratonë dhe jo vrapim shpejtësie2- Procesi për reformën në drejtësi duhet të jetë tërësor dhe gjithëpërfshirës3-Udhërrëfyesi i BE të shërbejë si parim kyç4- Reforma duhet të përfitojë prej konsultimeve dhe aktorëve përkatës5- Duhet të kërkohet pjesëmarrje nga Komisioni i Venecias6- Procesi nuk duhet të politizohet por duhet të jetë konsekuent me nevojat e shqiptarëve”.Si një mjek i mirë familje, Arvizu rezervoi edhe disa këshilla për politikën, përveç me ilaçe.“Ekziston pritshmëria nga shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare që kjo reformë të projektohet për të shëruar problemet me sistemin dhe jo thjesht për të arritur qëllime politike apo për të ndryshuar personelin nëpër institucione.Kjo është koha për të ngritur atë besim, për të ecur përpara në një proçes të matur, gjithpërfshirës dhe jo politik. Është e rëndësishme që mazhoranca të vendosë tonin e duhur, duke iu qasur të gjitha grupeve të interesit, përfshirë opozitën politike në një mënyrë të sinqertë.Gjithashtu i përket opozitës të mbajë një perspektivë të shëndetshme, të mbajë nën kontroll retorikën dhe të jetë më pak konfrontuese”.Por pavarësisht këshillave dhe recetave amerikane, palët politike në tryezë replikuan me tonë të larta. Fatmir Xhafa në cilësinë e kreu të Komisionit të Ligjeve, tha se janë të gatshëm ti japin kohë opozitës.“Jemi të vetëdijshëm dhe shumë të gatshëm që për hir të qëllimit të lartë të reformës, të ofrojmë konsensus, kohë dhe hapësirë për të gjithë, për opozitën po se po dhe në radhë të parë, por për të gjithë aktorët e sistemit veçanërisht si dhe për asistencën ndërkombëtare”.Gazmend Bardhi, këshilltar i grupit parlamentar të PD tha se qeveria e ka minuar proçesin me atë çfarë po ndodh me sistemin e drejtësisë.“Shkarkimi i antikushtetues i nënkryetarit dhe anëtarëve të KLD, ndërprerja e mandatit kushtetues të tyre me qëllimin e vetëm për tu zëvendësuar me besnikë politikë të mazhorancës e shkatërron konsensusin dhe jetëgjatësinë e çdo reforme.Por ne e dimë mirë që të gjithë që sapo opozita kthen krahët, mazhoranca e lumtur bën gjithçka për të politizuar sistemin dhe për ta deformuar atë. Ndaj ne do të marrim pjesë në çdo reformë që do të flitet për drejtësinë”.Kjo është tryeza e dytë për refomën në drejtësi, pas asaj të organizuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nisahni në datën 6 tetor.