"21 Janari", gjykata jep nesër vendimin për 2 të akuzuarit
Gjykata e Tiranës do të japë nesër vendimit për 2 të akuzuarit e ngjarjes së 21 Janarit ku u vranë 4 protestuesit Ziver Veizi, Hekruan Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj.Në seancën e sotme gjyqësore, mbrojtja ka paraqitur konkluzionet e saj përfundimtare duke akuzuar Prokurorinë për hetim të njëanshëm dhe selektiv.Avokati mbrojtës i ish-shefit të gardës, Ndrea Prendi, Genc Gjokutaj ka lexuar sot konkluzionet duke theksuar se më 21 Janar është ushtruar dhunë mbi Gardën dhe kjo e fundit kishte informacion se turma do ushtronte dhunë."Garda ka respektuar rregulloren për mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë. Punonjësit e Gardës kanë respektuar planin e masave që ishte hartuar. Më 21 janar, nga ora 14:00, Garda është gjendur e sulmuar nga protestuesit. Protestuesit synonin të hynin në kryeministri, disa prej tyre kanë hyrë në perimetrin e qeverisë. Sulmi ka qenë i mirorganizuar nga protestuesit më 21 janar 2011” theksoi avokati.Sipas tij, akuzat e Prokurorisë ndaj ish-shefit të gardës Ndrea Prendi janë të pabaza pasi nuk ka vrasje në rrethana cilësuese."Ndrea Prendi më 21 janar, sipas akuzës, ka vepruar në cilësinë e individit, por ai ka qenë drejtues i Gardës dhe ka qënë përgjegjës për sigurinë e institucioneve. Nuk është hetuar sulmi ndaj Gardës dhe kjo ka ndodhur për faj të Prokurorisë. Jemi të bindur që Garda më 21 janar ka mbrojtur rendin kushtetues, që u cënua nga protestuesit. Praktika të tilla njihen në eksperiencën botërore. Garda përdori çdo mënyrë për të qetësuar protestuesit, siç e njohin parimet e konventat ndërkombëtare. Qëllimi i Gardës nuk ka qenë dëmtimi i protestueve,por mbrojtja e kryeministrisë. Garda ka qëlluar vetëm në ajër, akuzat e prokurorisë të montuara keq. Më 21 janar 2011 për 5 orë u vu në rrezik jeta e kryeministrit. Demonstruesit u paralajmëruan në përputhje me rregullat që ka Garda. Hetimet e Prokurorisë ndaj Ndrea Prendit janë absurde. Akuza nuk evidenton sulmin që u bë ndaj Gardës dhe institucioneve. Prokuroria nuk vërteton dot se Ndrea Prendi ka qëlluar drejtpërdrejt mbi Faik Myrtajn” është shprehur avokati Gjonkutaj.Ndërsa avokati mbrojtës i ish-gardistit, AgimLlupo, Besnik Cerepja ka theksuar se më 21 janar ka patur sulm ndaj Gardës dhe ishte në rrezik jeta e gardistëve. "Ligjërisht Garda kishte të drejtë të qëllonte atë ditë, por kjo nuk ka ndodhur, është qëlluar vetëm në ajër. Gjithashtu nuk kalkulohet drejtimi i qitjes në hetimin e Prokurorisë dhe kjo është qesharake” tha avokati i Llupos.Prokuroria ka kërkuar 48 vjet burg për 2 të akuzuaritSeanca zhvillohet një jave pas pretencës së Prokurorisë, e cila kërkoi 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues.Organi i akuzës pretendon se gardistët kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi demonstruesit dhe për këtë arsye ka kërkuar 23 vjet burg për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo, duke e cilësuar fajtor për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës.E vetmja vrasje e pazbardhur e protestës së 21 Janarit është ajo e Aleks Nikës, për të cilën Prokuroria ka theksuar se është akoma në hetim.Ndërkaq, ish-shefi i gardës Ndrea Prendi në seancën e kaluar gjyqësore nuk pranoi akuzat e Prokurorisë,duke hedhur dyshime mbi punën e organit të akuzës në hetimin e çështjes. Sipas Prendit mbi gardën është ushtruar presion nga ana e Prokurorisë gjatë fazës së hetimeve.Ky proces gjyqësor i nisur dy vjet më parë po shkon drejt mbylljes së tij në Gjykatën e Shkallës së Parë ku pritet që kjo trupa gjysësore e kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha të dalë me një vendim për dy të akuzuarit.